
Ka provuar emocionet e derbit, madje me tre skuadrat e kryeqytetit. Gerald Tusha, mesfushori i njohur kryeqytetas ka dhënë një intervistë enkas për newsport.al. 26-vjeçari prej më shumë se një viti luan në Maltë me skuadrën e Ghaiselem, megjithatë zbulon se tashmë ka vendosur të kthehet në Shqipëri.
Tusha nuk e ka lënë pas dore Superioren dhe Kategorinë e Parë. Përkundrazi tregon që është ndjekës i rregullt i kampionatit tonë. Skënderbeu, Partizani, Dinamo apo Tirana? Për secilin ekip ai ka nga një mendim. Në fund jep verdiktin e tij edhe për zgjedhjet e FSHF-së që do të mbahen në 7 shkurt.
- Gerald, jeni larguar prej një viti nga Shqipëria. Ku luani tani?
Po është e vërtetë. Jam larguar prej një viti nga Shqipëria për të luajtur në Maltë. Jam pjesë e skuadrës së Ghaiselem, ekip që tashmë ndodhet në mesin e tabelës.
- Si po iu shkon aventura atje?
Deri tani kam qenë mirë. Por, tashmë mendoj se ka ardhur koha të kthehem në Shqipëri. Pres të marr lejekalimin për t'u kthyer në Tiranë.
- Kur thoni "për t'u kthyer në Tiranë", nuk nënkupton t'i bashkoheni bardhebluve apo jo?
(Qesh) Jo, do ta mendoj njëherë dhe më pas do të vendos.
- Pra, keni oferta nga kampionati shqiptar?
Kam disa, por s'dua të zbuloj emra. Do t'i bashkohem një skuadre për të mbyllur këtë sezon futbollistik.
- A e keni ndjekur kampionatin tonë?
Sigurisht, çdo javë.
- Skënderbeu duket se nuk ka rivalë në këtë sezon. A jeni i këtij mendimi?
Po, e kam ndjekur me vëmendje skuadrën e Skënderbeut. Është i vetmi ekip profesionist në Shqipëri në të gjitha aspektet dhe nuk besoj se mund t'i afrohet ndonjë ekip tjetër.
- Po për Partizanin, Dinamon dhe Tiranën ç'mendon? Tre skuadra me të cilat ke luajtur...
Partizani është një klub me emër të madh. Ndodhet në një situatë të vështirë, por besoj që do ta kalojë. Dinamo ka shumë vite për fat të keq që luan në Kategori të Parë. Mendoj i duhet kampionatit shqiptar. E pres shumë shpejt të rikthehet. Ndërsa Tirona? Nuk kam çfarë them. E kam në zemër se aty jam rritur.
- Thatë se do të ktheheni në Shqipëri... Kohë zgjedhjesh... Duka, Fino apo Hala?
Fitoftë futbolli. Pak rëndësi kanë emrat, por për batutë me Dukën nuk më ka ecur kur kam luajtur në Shqipëri. Ndoshta më ec me ndonjë tjetër.
- Qenkeni supersticioz. Mos harro se presidenti i FSHF-së nuk do të jetë trajneri i juaj apo jo?
(Qesh) Ishte për batutë, siç ua thashë. Për mua dua të fitojë vetëm futbolli. Pastaj emrat pak rëndësi kanë. Kur them të fitojë futbolli, Dinamo, Partizani dhe Tirana duhet të ndezin kryeqytetin. Pa ato nuk ka spektakël dhe pa spektakël nuk ka futboll. /Retin TOKA/