Hapësire reklamuese

All - General - 1

Çështjet kryesore

ARKIVA

SPECIALE/ Zoti i shpis t’u rrit’t nera!

Shkruar nga NEWSPORT

[caption id="attachment_667454" align="alignleft" width="169"] Rruga drejt stadiumit[/caption]

Nga Retin TOKA

Ditë e hënë. Ora shënonte 15:00. Në periferi të Tiranës, rreth 4.5 kilometra nga qendra e kryeqytetit kishte nisur ahengu. Të ftuarit ishin të shumtë. Por, kishte edhe nga ata që donin me çdo kusht të ishin në ditën e parë të “valleve”. Sikurse e do tradita në familjet shqiptare, muzika nisi javë përpara ditës finale. Unë isha pak vonë prej impenjimeve profesionale. Këtë herë kisha zgjedhur të merrja një biletë, mënyrë për të “verqisur” të zotin e shtëpisë.

Partizani luante për herë të parë një ndeshje zyrtare të Superiores, në stadiumin e vet, i pari në historinë e këtij klubi. Rrugës drejt kompleksit të ri, përshkohesha nga shumë kujtime që i kam nga legjendari “Qemal Stafa”. E kam prekur atë stadium qysh në moshën 7 vjeçare. Ishin vitet 2000, kur Partizani luante kundër Luftëtarit dhe me shiritin e kapitenit në fushë qëndronte Ilir Shulku. Shumë kohë e kaluar e tanimë me emocionet disi të zbehura, por me dëshirën për të parë futboll të bukur.

Ndeshja do të startonte në orën 16:00. Mbërrita 20 minuta përpara, për shkak të trafikut që kishte pushtuar zonën që dikur e quanin “Rrapi i Treshit”. Në kompleksin e ri kishte shumë vend për të pushuar makinën, por uniformat blu udhëzonin që të parkoheshin në rrugën kryesore. I zoti i shtëpisë kishte ndërhyrë dhe këtë herë gjoba nuk do të kishte. Për të shkuar drejt stadiumit të Partizanit, kishte dy hyrje. Zgjodha kryesoren, e cila ishte afro 10 minuta në këmbë.

Rrugës dëgjoja me kureshtje komentet e tifozëve, të cilët nxitonin për të qenë sa më parë afër veprës së sjellë në jetë nga Gazment Demi. Skepticizmi është pjesë e pandarë e shqiptarëve dhe në këtë rast nuk mund të mungonte. “A nuk paska pas me e shtru mirë këtë rrugën?”, thoshte dikush, i pasuar nga tjetri që ia priste: “Unë kam pas punu këtu. Aty kanë qenë pompat”, duke u drejtuar me gisht nga porta në krahun perëndimor.

[caption id="attachment_667455" align="alignright" width="225"] Hyrja në kompleks[/caption]

Me t’u afruar kompleksit, në sy më ra presidenti Gaz Demi. Kreu i klubit të Partizanit qëndronte në hyrje të zonës VIP me miqtë e tij. Dukej se donte t’i përshëndeste të gjithë ata që kishin zgjedhur të ishin në çeljen e “valleve”. Nuk ishte një ndeshje derbi, por emocionet e tifozëve dhe buzëqeshja e tyre ishte e njëjtë sikurse një sfidë e tillë ta dhuron. Gjithëkund shihje njerëz që komentonin atë që shihnin. Prozhektorët ishin ndezur, bashkë me dritën e diellit që ishte drejt perëndimit.

Hyrja brenda në stadium, ishte e njëjtë sikurse në impiantet e reja të ndërtuara në Shqipëri. Çdo gjë me parametra europianë. Stolat ishin të rehatshëm, hapësira mes shkallëve të ofronte komoditet. Ajo që më ra në sy ishte mosha e tifozëve. Të paktë ishin të rinjtë, veç grupimit “Ultras Guerrils” që qëndronte në cep të stadiumit të ri. Problemet sociale dhe emigrimi jashtë vendit për një jetë më të mirë, dukshëm kishte prekur edhe lojën më të ndjekur në botë.

“Ferit ia arritëm kësaj dite”, ishte një zë nga cepi i tribunës që përshëndeste me gëzim shokun e tij. “E boni Gazi, e majti fjalën”, thoshte tjetri, ndërsa të tjerë komentonin formacionin që Giovani Colella kishte hedhur në fushë. Sikurse tifozi që nuk kënaqet kurrë me skuadrën e vet, ashtu edhe të Partizanit që ndaj Bylisit kërkonin përfeksionin. Ndryshe nga “Qemal Stafa” apo “Selman Stërmasi”, shitësit e farave mungonin sikurse në “Air Albania”. Rregullat ishin të njëjtë. Kush donte, le t’i blinte jashtë bashkë me shajet që qëndronin të varur te shitësit në hyrje të stadiumit.

Ndeshja nisi më mirë për Partizanin. Dukej se të kuqtë e ndjenin se ishin në shtëpinë e vet dhe vallen e parë duhet ta hapnin ata. Dominim i lehtë në 45 minuta, ku “shaminë” për të kërcyer e mori Xhuliano Skuka. Penallti e fituar dhe gol i realizuar. Dibrani tentoi disa herë ta lëshonte “radhën”, por shokët e skuadrës donin që të mësonin se si udhëhiqet vallja vetëm nga ai. Sa shumë lumturi shihje mes atyre tifozëve, që hallet jashtë atij 90 minutëshi mund t’i kishin të shumta. “Pse mer dreq nuk e pason; O Rexhep kthehu te porta mer vlla, pse na bo me zemër kot?”, sa komente të tilla dëgjoje.

[caption id="attachment_667456" align="alignleft" width="300"] Pjesa ballore e stadiumit[/caption]

Ndërkohë unë përpiqesha të kapja ndonjë detaj interesant në këtë sfidë të vjetër të kampionatit shqiptar, por të re në historinë e klubit të Partizanit. Ndriçimi në zona të ndryshme të fushës nuk ishte i fortë, megjithatë gjëra të vogla që rregullohen me kohën. Pjesa e dytë nisi ndryshe për Partizanin. Pak më shumë hapësira për kundërshtarin, por spektakël i shtuar dhe i garantuar nga ai që udhëhiqte vallen. Arriti të realizonte nga këndi zero, cilësi që i kanë vetëm lojtarë të mëdhenj. Fundi i ndeshjes po afronte dhe frika për të mos u barazuar pushtoi dhe tifozët e kuq. Megjithatë në fund, nata e parë e valleve përfundoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Të gjithë morën pjesë, ndërsa Skuka me siguri ia la radhën të tjerëve.

Kishte dhe nga ata që u pushtuan nga ndjenja e xhelozisë. Megjithatë thellë-thellë meritat ia jepnin të plota atyre që punuan për të sjellë në jetë këtë kryevepër të momentit. “Amon mer amon, edhe 1 stadium tuajin s’e mbushët”, kishte tifozë të Tiranës që bënin batuta me miqtë e tyre pas përfundmit të ndeshjes. “Bravo i qoftë, më në fund një gjë e hajrit në vendin tonë”, ishin të tjerë që vlerësonin drejtuesit.

[caption id="attachment_667457" align="alignright" width="225"] Afër hyrjes në tribunë[/caption]

Ndërtimi i kompleksit të Partizanit është një meritë ekskluzive e familjes Demi që ka investuar të ardhurat e veta, sigurisht me mbështetjen e vazhdueshme të Federatës Shqiptare të Futbollit. Vlerë e shtuar për një ndër klubet më me histori në vend, por edhe për futbollin shqiptar. Edhe pse jo zyrtarisht, në dijeninë time, kreu i klubit të kuq ka caktuar “datën e martesës”. Ndeshja e javës së 14-të, me Kukësin do të jetë ajo që do të presë “shiritin” e këtij stadiumi. Edhe pak rregullime, detaje të vogla që gjithçka të jetë gati.

Tashmë një nga klubet e kryeqytetit nuk do të vuajë më sindromën e të luajturit jashtë Tiranës. Partizani ka një shtëpi, ka një kompleks, ka pikërisht embrionin, aty ku nis gjithçka për të qenë pjesë e jetës. Miliona euro të shpenzuara, por me komoditetin që ofrohej, pa frikë mund të thuhet: Ia kishte vlejtur! T’u rrit’t nera zoti i shpis!

Poll

Lexo gjithashtu

All - General - 2
All - General - 3
All - General - 4
All - General - 5
All - General - 6
All - General - 7

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga