Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

SPECIALE/ Tungjatjeta Ilir DAJA! Një dolli për ty pa “tavat e Elbasanit dhe ngjalat e Lezhës”

Shkruar nga NEWSPORT
SPECIALE/ Tungjatjeta Ilir DAJA! Një dolli për ty pa “tavat e

Nga Retin Toka

Ilir Dajën s’e kam takuar kurrë. Jemi hasur shpesh virtualisht, por fizikisht asnjëherë. Profesioni ynë na detyron në shumë raste që miqtë t’i shndërrojmë padashur në armiq dhe anasjellas. Megjithatë “Çezarit duhet t’i japim atë që meriton”. Puna dinamike në gazetarinë sportive më ka detyruar që edhe Ilir Daja të jetë subjekt i lajmeve kritikuese. Megjithatë në vitet e fundit ka qenë e vështirë t’i gjeje një defekt atij njeriu në aspektin profesional.

Data shënonte 9 gusht i vitit 2020. Në kutinë e mesazheve vjen një njoftim nga klubi i Partizanit ku do të prezantohej trajneri i ri, Ilir Daja. Nuk i kushtova rëndësi, veçse e raportova te grupi i punës. Ishte në vazhdën e së përditshmes. Emërimet dhe shkarkimet e trajnerëve tanimë në Shqipëri mund të thuhet se nuk përbëjnë lajm. Në nocionin e kësaj fjale sigurisht që janë të rëndësishme, por janë shumë të shpeshta në vendin tonë.

Kryeqytetasi nisi punën në një klub ku u tha se i kishin besuar gjithçka. Në fakt i besuan vetëm atë grup që parardhësi i tij la. Marrëveshja ishte arritur ndryshe, por mbyllja e merkatos penalizoi të kuqtë dhe shuajti dëshirat e Dajës. Nuk u dorëzua. Përkundrazi, fjalën e dhënë me presidentin Demi e mbajti deri në fund. Arriti të formonte një grup konkurrues deri në fund të sezonit futbollistik. Fjala titull s’u përmend asnjëherë. Megjithatë deri 2 javë para fundit, Partizani ishte potencialisht për titull. Merita padyshimi ishte e gjitha e tij.

Ndonjëherë në jetë vlen shprehja: “Nuk të pyet kush si ke qenë, por si je?” E kjo duket se iu përshtat pikërisht Dajës në sezonin pasardhës. Këtë herë me merkato të zhbllokuar, Partizani nuk e nisi në mënyrën më të mirë edicionin futbollistik. Loja në fushë ishte e mrekullueshme, por rezultatet ecnin në kahun e kundërt të trajnerit. Projekti ishte afatgjatë dhe si i tillë, Daja e dinte që çdo gjë do të vinte me kohën e vet. “Goditi” në merkato duke afruar lojtarë që sot janë titullarë si Rrapaj që është produkt 100 përqind i veti.

Një trajner matet me rezultate. Për fatin e keq të Partizanit dhe të Dajës, ato nuk po vinin. Koha kalonte, por drejtuesit donin pikët. Ndeshje pas ndeshje tekniku kryeqytetas kërkonte kohë sepse kishte riformatuar një grup nga e para. Finalizimi ishte pika e dobët e atij Partizani që në fushë shkëlqente. Ngërçi psikologjik i lojtarëve bëri që situata të ishte e zymtë në klubin e kuq. Edhe pse dëshira ishte që ta çonte deri në fund projektin bashkë me atë fushën natyrale që i ishte premtuar, Daja vendosi të largohej nga drejtimi i Partizanit. “Çdo fillim e ka një fund”, natyrisht, por ndoshta nuk ishte momenti i duhur. Muajt më pas i dhanë të drejtë Ilir Dajës. Atij Partizani i ishte dashur thjeshtë kohë. Me të njëjtët lojtarë, u arritën Kupat e Europës. Shpesh kishte edhe kontestime nga drejtuesit për gjykimin, veçanërisht nëpër derbi. Megjithatë misioni u arrit.

Nga ana tjetër, një trajner si ai s’e “lënë të bie në tokë”. Menjëherë iu ofrua drejtimi i Ballkanit. Për nga historia, një ekip i ri dhe simpatik. Megjithatë ishte momenti që Ilir Daja të sprovonte sërish aftësitë e tij. Asnjëherë s’e humbte vëmendjen edhe nga kampionati shqiptar duke ndjekur ndeshjet më kryesore. Sigurisht që një vend të veçantë zinte edhe Partizani ku shihte lojtarët që ai kishte zgjedhur se si performonin. Edhe pse i larguar, donte të krijonte ndjesinë që nuk i kishte lënë vetëm.

Në Kosovë me Ballkanin, ashtu urtë e butë po korrte suksese. Askush s’e besonte që skuadra nga Suhareka do të arrinte nivelet që është sot. Pas 6 muajsh, Daja shkroi historinë në krye të Ballkanit. Fitoi titullin kampion dhe bëri mirë në Kupat e Europës. Jo bëri mirë, por ishte spektakolar duke e kualifikuar në grupet e Conference League. Puna e mrekullueshme e tij u pasqyrua në fushë nga lojtarët. Tipi i tij i palëkundur solli edhe disa mosmarrëveshje brenda ekipit. U tentuan të trumbetoheshin, por sukseset e Ballkanit i mbyllën gojën të gjithëve.

Sot, është ditë feste në Kosovë. Është festë sepse luan Ballkani kundër Cluj, në grupet e Conference League. Daja nuk është i emocionuar, padyshim jo! E ka provuar edhe më parë këtë ndjesi me Skënderbeun e Europa League. Është me këmbë në tokë dhe e di që ende futbolli kosovar apo edhe ky shqiptar nuk mund të hahet “dhëmbë për dhëmbë” me investimet qindra miliona euroshe të europianëve.

Megjithatë, Ilir Daja sot është dita jote! Le të ngremë një dolli për ty në një tryezë pa “tavat e Elbasanit dhe ngjalat e Lezhës”...

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga