Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

SPECIALE/ Redi i tironsave, i "Vogli" i Tiranës!

Shkruar nga NEWSPORT

Nga Retin TOKA

Mëngjesi i së enjtes nuk ishte i zakonshëm. Një sfidë brenda vetes e “brente”. Donte të ishte në piedestalin e suksesit. Potenciali dhe vetëbesimi ecnin paralel me dëshirën për të ngritur atë kupë. Ishte lindur për ato dy ngjyra, bardhë dhe blu. I biri i Xhepit dhe i Zanës kishte një qëllim: Të bënte krenarë të gjithë njerëzit që kanë lënë një shenjë pozitive në jetën e tij.

I vendosur në zemër të kryeqytetit, aty ku u lind dhe u rrit, njerëzit rrotull vështirë të hasen me të rrugës dhe mos t’i flasin. Megjithatë e enjtja ishte ndryshe. “O me, si e keni menjen sot? Do të fitoni apo jo?”, kjo ishte pyetja më e zakonshme e njerëzve me të cilët takohej. Në fakt, ata pa ditur shtonin një lloj presioni. Vetiu diçka e shtynte të thoshte, ndofta prej stofit të kampionit: “Normal m, pse e ve në diskutim ë?”, por këtë herë nuk e bënte. Donte të ulte euforinë para ndeshjes me lezhianët.

Ai kishte bërë një premtim në heshtje për vajzën e vogël, Reinën dhe bashkëshorten Klaudian. Redi i Xhepit do ta çonte me çdo kusht në shtëpi atë kupë. “Kapiteni i zemrës” nuk do të mund të zhgënjente asnjërën. Po, po, me çdo çmim ishte i vendosur për të përfaqësuar me dinjitet fanelën që mbante veshur. Dy humbjet në dy ndeshjet e para e kishin ulur disi moralin e tij, por asnjëherë dëshirën dhe vetëbesimin për të triumfuar. Jo më kot thonë që luftëtari më i mirë nuk është ai që fiton përherë, por ai që kthehet pa frikë në betejë. Sa më të vogla dukeshin shanset, aq më e ëmbël po gatuhej fitorja.

[caption id="attachment_691191" align="alignleft" width="240"] Babai i Redit, me vajzën dhe mbesën[/caption]

Orët pasonin njëra-tjetrën. Por Redit i dukej sikur kishte mbetur në vend. I hanin “këmbët dhe duart”. Donte të ishte sa më parë në atë parket, përballë Fanaticsave. Historia e tij me ultrasit bardheblu është njëjtë si ato dashuritë me shikim të parë. Zemra e shtatlartit rrahu fort që prej vitit 2006, kur ky tifogrup u lind dhe u rrit me pasionin për të parë gjithmonë në majë ekipin e Tiranës.

Më në fund akrepat shënonin orën 19:00. Në pallatin e sportit “Asllan Rusi” dukej sikur binte tërmet. Tifozët e shumtë kishin zbarkuar për të dhënë kontributin e tyre në shkallët e këtij impianti që qëndron prej shumë vitesh stoik mes kryeqytetit. Skena ishte e lojtarëve në parket, por edhe ultrasve që i theksonin më shumë ngjyrat e mrekullueshme të kësaj finaleje.

Tirana e nisi vrullshëm duke kryesuar në çdo set. Trajnerët e palodhur, Erkand Karaj dhe Onaldo Ago jepnin udhëzimet e tyre se si duhej të mbronin apo sulmonin. Bardheblutë, qartazi e kishin përgatitur ndeshjen në mënyrë të imtësishme. Pak sekonda nga përfundimi i minutës së fundit, festa kishte nisur. Bardheblutë kryesonin bindshëm me rezultatin 89 me 64. Gjyqtarët njoftuan se ndeshja kishte mbaruar. Dhe tanimë kishte një fitues. Ajo ishte Tirana.

Gëzimi ishte legjitim në shkallët e tribunës e veçanërisht te Red Vogli. Djali i “Tironës” u drejtua menjëherë nga tifozët bardheblu bashkë me lojtarët e tjerë. Kishin arritur misionin që në heshtje i kishin premtuar njerëzve të zemrës. Tirana ishte kampionia e sezonit 2022-2023. Një titull i arritur me shumë mund dhe djersë. Të gjithë dëshmitarë e pesë finaleve spektakolare që serviren gjithçka për publikun shqiptar që aq shumë e dashuron sportin.

Tanimë ishte radha për t’u drejtuar nga tribuna kryesore. Aty qëndronte Klaudia me vajzën e vogël Reinën, bashkë me familjarët e tyre. Ata ishin mbështetja kryesore e Redit, prezentë në çdo përjetim të shtatlartit. Çdo dëshirë apo hall, e thënë mes tyre. Babi e mbajti premtimin. Medaljen ia vari në qafë dhe kupën do ta ngrinin të dy bashkë. Një drithërime ishte një sëmbim, një kënaqësi e madhe. Venat i pulsonin fort nën lëkurë. Ai do të hiqte dorë nga kërkimi i lumturisë së vet, vetëm për t’ua dhënë të tjerëve, që t’i shihte njëjtë si dje.

[caption id="attachment_691192" align="alignright" width="240"] Redi, Klaudia dhe Reina[/caption]

“Ia dola”, shëtiste rrotull parketit me vajzën në krah dhe sytë që i shquanin vetëm dy ngjyra, bardh’ e blu. Ego e këtij njeriu është realisht i frikshëm. Nuk dorëzohet asnjëherë. Edhe pse vitet ecin, vullneti është i jashtëzakonshëm për të kontribuar për Tironën e tij. Ky trofe ishte i veçantë. Premtimin ndaj familjes së madhe bardheblu e mbajti. Tashmë Reina ecën me medaljen në qafë. Babai i saj është kampioni i ri i kryeqytetit. Në fakt me stof të tillë ka lindur.

Redi është një nga ata lojtarë shembull për sportin në vend. Nëse do ta kishte ditur se këto rreshta do t’i dedikoheshin, me siguri nuk do të pranonte. Arsyeja? Sepse Tirana për të është si familje dhe kur fitojnë, triumfojnë të gjithë së bashku. Megjithatë si një nga basketbollistët “veteranë”, i “Vogli” i Tiranës e meriton për kontributin që ka për skuadrën kryeqytetase në çdo lloj sporti. Kush e njeh, ia njeh mirë karakterin dhe qytetarinë që ofron. Është njeriu që përpiqet të mbajë gjithmonë lart moralin e skuadrës. Është shoku i skuadrës që i vjen në ndihmë çdokujt. I ka bërë krenarë të gjithë.

Përballë “Dispeçerisë së Tiranës”, afër zonës së "Trenit", ka arsye për të qenë të lumtur. Djali i Xhepit ka arritur të çojë deri në fund misionin. Në shtëpi është kthyer me kupën në dorë. Edhe nëna Zana është krenare dhe e lumtur, teksa sheh nga atje lart arritjet e të birit, pikën e dobët të saj. Mbesat tashmë kanë një xhaxha kampion. Ky është Redi i tironasve, i “Vogli” i Tiranës! Njeriu që suksesin e lidh me punën e pandalshme, me përkushtimin ndaj detyrës për maksimumin, si në humbje ashtu edhe në fitore duke dhënë më të mirën!

[caption id="attachment_691193" align="alignnone" width="1024"] Tirana, kampione e Shqipërise sezoni 2022-2023[/caption]

 

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga