
Shqipëria nuk e ka hequr nga tradita për të patur trajner të huaj. Për 16 vite, në krye të pankinës së KOMBËTARES janë ulur 7 trajnerë të jashtëm. Hans- Peter Briegel dhe Gianni De Biasi janë dy teknikët me jetëgjatë të KUQEZINJVE. Natyrisht, që italiani është kthyer në ikonën e shqiptarëve për kualifikimin në EURO 2016.
Por, i pari që zhbllokoi rrugën e vështirë të trajnerëvë të huaj në KOMBËTARE ishte: Giuseppe Dossena. Italiani u përzgjodh nga Armand Duka në 2002 si pasardhësi i legjendës së Dinamos Sulejman Demollari te stoli i Shqipërisë. 60-vjeçari kishte një karrierë mbresëlënëse si lojtar pasi kishte fituar Serinë A dhe më pas Kupën e Botës me Italinë në 1982.
Në atdhe, ai konsiderohet njëri prej mesfushorëve më të mirë të viteve '80. I shpejtë, nuk falte në pasime, rezistent dhe kompakt, Dossena shkëlqeu si futbollist. Por, si trajner ai nuk arriti asnjë rezultat të madh. Historia e tij te Shqipëria është e çuditshme dhe e mbuluar me pikëpyetje.
Ai qëndroi te ne vetëm 3 muaj, një rekord gati unik. Barazoi me Zvicrën 1-1 dhe më pas u shpartallua në Rusi 4-1. Asnjëherë nuk u mësua arsyeja e largimit të tij të vërtetë, por në atë kohë u përfol se ai u kërcënua me jetë. Sot, në Shqipëri kujtohet si trajneri më i pasuksesshëm i KOMBËTARES. Ai u largua më pas në Libi, me kërkesë të ish-diktatorit Muammar Gaddafi.
Që prej asaj kohe, Dossena nuk ka folur kurrë për mediat në lidhje me eksperiencën e tij në Shqipëri. Edhe pse u largua në mënyrë jo të denjë, ish-futbollisti pa dashje hapi një kapitull të ri te SHQIPËRIA: Fillimin e pandalshëm të "Importit" të trajnerëve të huaj te KOMBËTARJA. Kualifikimi historik i Shqipërisë dy vite më parë ka në brendësi dhe meritën e Dossenas.
Fati, aftësia apo rrethana të tjera mund të kishin ndikuar ndryshe te ai. Megjithatë, shqiptarët ndiejnë një lloj mirënjohjeje për Giuseppe Dossenan. Shumë do të dëshironin ta njihnin ndryshe atë. /Newsport.al/