Skënderbeu vijon punën për të ndërtuar ekipin që do të garojë në elitën e futbollit shqiptar në sezonin e ardhshëm. Drejtuesit duan një ekip të denjë që të mos e diskutojë në asnjë moment mbijetesën në Superiore ndaj kanë afruar lojtarë të studiuar mirë dhe që mund të ngrejnë cilësinë në ekip.
Afrimi i fundit pritet të jetë një rikthim. Kosta Vangjeli ka arritur akordin total me klubin dhe pritet vetëm firma në kontratë për të zyrtarizuar marrëveshjen. Mbrojtësi 22-vjeçar është prodhim i akademisë korçare dhe shkëlqeu në Superiore me bardhekuqtë.
Ai do të jetë një përforcim me shumë vlera për trajnerin Gvozdenovic teksa është i aftë që përveç linjës së djathtë, të bëjë edhe mbrojtësin e qendrës apo mesfushorin ‘6-sh’.