Partizani nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 me Vllazninë në “Loro Boriçi”. Një barazim që largon akoma më shumë demat nga Egnatia kryesyese. Si për ironi të fatit me rrogozhinasit do të jetë sfida e radhës e kryeqytetasve.
Demat do të presë në shtëpinë e tyre skuadrën e Edlir Tetovës për të bërë mes tyre edhe llogaritë për javën e 22-të të Superiores. Kjo përballje do të luhet ditën e shtunë në orën 17:00 në “Arenën e Demave”. Të kuqtë janë të dënuar për të triumfuar ndaj rrogozhinasve, si shansi i vetëm për të ndalur vrullin e tyre dhe për të qenë në garë për vendin e parë në klasifikim.
Nuk do të jetë aspak e lehtë për Orges Shehin, i cili bëhet me”dhimbje koke” para këtij takimi. Valentino Murataj do të jetë mungesa”big” e të kuqve, i cili u ndëshkua me karton të verdhë ndaj Vllaznisë dhe në këtë mënyrë ka plotësuar numrin 4 të tyre. Kapiteni nuk do të mund të japë kontributin e tij ndaj kryesuesve.
Po sikur të mos mjaftonte vetëm kaq. Adnard Mehmeti është në dyshim për këtë sfidë, për shkak se mesfushori ka një dëmtim dhe mbetet të shihet nëse do t’ia dalë të rikuperohet në kohë për Egnatian. Në këto kushte Shehi duhet të nis të përgatitë planin për duelin e së shtunës.