Taulant Seferi ishte emri i parë i publikuar për ftesën e Kombëtares, ashtu siç paralajmëroi Newsport.al javë më parë. Sulmuesi ka shkëlqyer në muajt e fundit me Vorsklan në Ukrainë duke shënuar javë pas jave dhe duke u shpallur më i miri në ekipin e tij.
Sigurisht, ftesa nga Sylvinho nuk mund të mungonte dhe ish-lojtari i Tiranës po stërvitet aktualisht me kuqezinjtë në “Shtëpinë e Futbollit”.
Së fundmi, sulmuesi ka ndarë një foto në rrjete sociale në stërvitje me mbishkrimin: “I lumtur dhe krenar gjithmonë për të qenë këtu.”
Ndërkohë, nuk mungojnë komentet mbështetëse për të dhe ai që bie më shumë në sy është i ish-drejtorit të tij te Tirana, Tefik Osmani, i cili i bën një kërkesë të veçantë: “Dua fitoren dhe golin të hënën”,-i thotë Osmani.