Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

LAJME

Taulant Xhaka dhe Jorind Skënderi rrëfejnë eksperiencën në kursin UEFA A: Kemi mësuar shumë, synojmë nivelet më të larta

Shkruar nga NEWSPORT
Taulant Xhaka dhe Jorind Skënderi rrëfejnë eksperiencën
Kursi UEFA A në FSHF

Federata e Futbollit organizon gjatë gjithë vitit një gamë të gjerë kursesh për trajnerë, duke mbuluar të gjitha nivelet e edukimit futbollistik, nga licenca UEFA C deri te niveli më i lartë, UEFA PRO.

Javën e kaluar u përmbyll me sukses një tjetër edicion i kursit UEFA A, që mblodhi së bashku emra të njohur të futbollit shqiptar dhe trajnerë të rinj ambiciozë, tashmë të përgatitur për të hedhur hapat e radhës në karrierën e tyre.

Në një prononcim për fshf.org, ish-mesfushori i Kombëtares, Taulant Xhaka vlerësoi nivelin e kursit të organizuar nga FSHFdhe tregoi edhe synimet për të ardhmen.

Vlerësimi për nivelin e kursit dhe komentet në fund – Niveli i kursit ka qenë shumë i lartë. Profesorët kanë qenë të një niveli të lartë dhe kemi mësuar shumë mirë. Falënderoj FSHF-në për këtë mundësi. E vlerësoj shumë lart këtë kurs dhe diplomën UEFA A.

E ardhmja e Taulantit si trajner– Do e pres Granitin deri sa të mbyllë karrierën e vet dhe do e nis me Granitin bashkë. E kam një synim për të ardhmen te Basel, tek ekipi i parë. Por do pres Granitin derisa të mbarojë futbollin dhe do t’ia nisim së bashku.

Taulant Xhaka dhe Jorind Skënderi rrëfejnë eksperiencën
Taulant Xhaka pas kursit UEFA A

Ndërkaq, ish-futbollisti Jorind Skënderi u shpall studenti më i mirë i kursit. Skënderi shprehet se pjesëmarrja në këtë kurs dhe pajisja me licencë ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme për të, teksa vlerëson edhe nivelin e grupit pjesëmarrës, kurrikulën e FSHF-së dhe Sektorin e Edukimit.

Ish-futbollisti shqiptar tregon edhe ëndrrat që ka për të ardhmen, ku dëshira më e madhe është të jetë trajner i kombëtares shqiptare.

Pjesëmarrja në kursin UEFA A dhe vlerësimi si studenti më i mirë  – Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme për mua si trajner i ri. Kam qenë shumë i lumtur që kam qenë pjesë e këtij grupi. Falënderoj FSHF-në për mundësinë që më dha, Sektorin e Edukimit për dijen dhe që na ka qëndruar pranë gjatë këtij kursi. Ka qenë një kurs me intensitet. Grupi ka qenë fantastik, kemi shkëmbyer eksperienca me njëri-tjetrin dhe jemi rritur të gjithë së bashku. Vlerësimi në fund si studenti më i mirë ka qenë kurorëzimi i një pune sistematike që kam bërë që nga dita e parë që kam qenë pjesë e këtij kursi. Shpresoj që të jetë një ogur i mirë dhe një shtysë e madhe për mua si trajner i ri që të zhvillohem akoma edhe më shumë në këtë profesion.

Gjej rastin të falënderoj edhe klubin e KF Tirana, ku unë jam trajner aktualisht. Jam rritur si lojtar dhe trajner dhe shpresoj që të rritem akoma edhe më shumë në këtë klub. Të ardhmes nuk i dihet, shpresoj që të jap më të mirën dhe të arrij të plotësoj ëndrrën time si një trajner të niveleve të larta.

Synimet për të ardhmen – Dikur kam pasur një ëndërr për të prekur kombëtaren si futbollist dhe nuk e arrita dot. Shpresoj të realizoj këtë ëndërr si një trajner dhe besoj se ky është kulmi i një ëndrre që mund të arrij në të ardhmen.

Taulant Xhaka dhe Jorind Skënderi rrëfejnë eksperiencën
Jorind Skënderi pas kursit UEFA A

 

Poll

Lexo gjithashtu