Sezoni i Vllaznisë nuk ka nisur siç pritej teksa rezultatet nuk tregojnë një ekip për të pretenduar titullin kampion. Paraqitja në fushë është një “enigmë” tjetër për shkodranët. Është e vështirë të krijosh një përshtypje pasi ndeshje pas ndeshje loja ka shumë luhajte, në njërën ndeshje dhuron futboll fantastik e në tjetrën zhgënjen duke treguar oshilacione të mëdha.
Një ndër arsyet për këto oshilacione është edhe efikasiteti i ulët i repartit të sulmit. Në 8 javë kampionat janë shënuar vetëm 3 gola nga sulmuesit, 1 nga Kaina dhe 2 nga Hoxhaj. “Pesha” e golave duket se i ka rënë Herald Markut që ka shënuar 3 gola deri tani edhe pse luan në mesfushë. Mungesa e Latifit ka lënë shumë boshllëqe në lojën e Vllaznisë dhe po shpresohet për rikthimin sa më shpejt të tij.