Refik Halili i është bashkuar skuadrës së Tiranës ditën e djeshme në seancën e rradhës stërvitore që ata zhvilluan para ndeshjes me Dinamo Batumin. Presidenti ishte i pranishëm jo thjeshtë duke i parë nga afër por edhe ka folur drejtpërdrejtë me ekipin duke mbajtur një fjalim të shkurtër.
Kreu i bardhebluve u ka dhënë kurajë skuadrës duke u kërkuar impenjim maksimal për të arritur objektivin që është kalimi i turit të parë, ndërsa fjalimit i është bashkuar edhe trajneri Shehi me disa fjalë më tepër.
Ditën e djeshme mungonin dy lojtarë në stërvitje. Tashmë dihet që Erhun Obanor do ta mbyllë shumë më herët sesa pritej aventurën e tij bardheblu, por mbrojtësit afrikan i shtohet një tjetër koleg në prapavijë.
Besir Iseni e mbyll pas një sezoni me kryeqytetasit. Aseti i klubit, siç u quajt edhe nga stafi teknik në një nga intervistat pas ndeshjeve, do të vijojë karrierën në Kosovë ose Maqedoni. Ky largim është i ‘detyruar’ pasi lojtari është dënuar nga Disiplina me 24 muaj nga çdo aktivitet i FSHF-s për rastin e ndeshjes me Bylisin.