
Eni Imami mund të quhet largimi i radhës nga ekipi i Kukësi pas konfirmimit të Amido Baldes pak ditë më parë. Një zënkë me trajnerin Peter Pacult i ka "vënë kapakun" gjithçkaje, duke bërë që mbrojtësi i majtë i verilindorëve të marrë vendimin përfundimtar për tu larguar nga ekipi pas përfundimit të këtij sezoni.
I kontaktuar nga newsport.al për të sqaruar këtë zënkë me trajnerin dhe të ardhmen e tij, Imami është shprehur: "Po, është e vërtetë që kam patur një përplasje me trajnerin pas ndeshjes me Flamurtarin. E pyeta se, pse nuk më fut në lojë dhe a ka ndonjë problem? Ai filloi të më fliste gjermanisht. I pranishëm në këtë moment ishte dhe Nexhipi aty. Po në atë moment i thashë që çdo gjë mbyllet këtu. Kaq ishte. Tani po pres të tërheq letrat dhe më pas do shikoj se çfarë do bëj. Kam diskutuar dhe me menaxherin me të cilin kam një lidhje të ngushtë. Sapo të tërheq dokumentacionin do vlerësoj ofertat që më kanë ardhur".
I pyetur për të ardhmen dhe a ka patur kontakte me ndonjë ekip tjetër, 25-vjeçari shpjegon: "Kam patur oferta nga shumë skuadra nga kampionate të ndryshme, madje dhe jashtë Shqipërisë. Mund të them që një opsion është Shkëndija e Tetovës, por duhet të them dhe pjesën që ende jam lojtar i Kukësit. Çdo gjë do marrë formë sapo të jem larguar nga këtu, pasi duhet të pranoj faktin që te Kukësi kam kaluar tre vite edhe pse mënyra si ndodhi nuk më pëlqeu, por kështu funskjonon kudo, madje dhe në familje ka zënka, por jeta vazhdon. Besoj se kjo ishte zgjidhja më e mirë e mundshme", mbyll pronocimin e tij Eni Imami për newsport. al.