
Teuta ditën e djeshme njoftoi largimin e Diego Longos për shkak të rezultateve negative të marra në javët e parë të kampionatit. 4 pikë në 4 javë kanë bërë që drejtuesit të ndajnë rrugët me Longon, teksa tashmë pritet me interes se kush do të jetë zëvendësuesi i tij.
Në fakt pritet rikthimi i Edi Martinit, me timonierin shkodran që do të rikthehej në Durrës për të 5-tën herë. Gjithsesi, skuadra zhvilloi pasditën e djeshme stërvitjen e parë pas largimit të Longos, ndërsa u drejtua nga Ilir Biturku.
Longo është larguar me gjithë stafin e tij, përjashtim bën vetëm Biturku, i cili do të drejtojë ekipin deri në emërimin e trajnerit të ri nga presidenti Edmond Hasanbbelliu. Kujtojmë se “djemtë e detit” kanë nisur kështu stërvitjen për sfidën me Kukësin, e vlefshme për javën e 6-të të Superiores dhe që do të luhet ditën e mërkurë në “Niko Dovana” duke nisur që nga ora 20:15.