Skerdi Bejzade ndodhet prej vitesh në Gjermani, ndërsa prej disa vitesh është trajner i skuadrës së Arminia Hannover në ligën e 5-të gjermane.
Ish-sulmuesi i Dinamos, Partizanit, Elbasanit dhe shumë ekipeve të tjera në Shqipëri ka dhënë një intervistë për RTSH Sport, ku ka folur për gjendjen që po kalon e gjithë bota prej Coronavirusit.
“Me këtë situatë, shumë klube rrezikojnë falimentimin. Jo vetëm ligat inferiore, por edhe klubet e elitës janë prekur nga kjo gjendje e krijuar. Tani të presim, ishalla kalon kjo situatë sa më shpejt. Ju uroj gjithëve shqiptarëve ta kalojnë këtë periudhë kaq të vështirë”, ka thënë fillimisht ai.
I pyetur më pas se si po funksionojnë seancat stërvitore në Gjermani, Bejzade ka treguar:
“Ekipet e Bundesligës kanë nisur stërvitjen me grupime, jo gjithë skuadra së bashku. Edhe ekipi që drejtoj unë, jemi munduar të stërvitemi online. Për fat të mirë s’e kemi rreptësisht të ndalur për të dalë. Sigurisht që s’është e njëjta stërvitje si në fushë, por këto janë kushtet dhe mundohemi sa më shumë të realizojmë objektivat.
Ne kemi bërë disa grupe dhe planin stërvitor e kemi bërë për të gjithë njësoj. Po në fakt s’e dinim sa do të zgjaste kjo situatë. Por, siç na kanë lajmëruar, kampionati nuk do të zhvillohet deri në 19 prill. Plani vjen duke u ndryshuar. Tani të shohim se çdo të ndodhë pas 19 prillit”, ka përfunduar ai.