Orges Shehi tashmë prej ditësh nuk është më trajner i Tiranës, teksa në stol menjëherë u ul Julian Ahmataj. Ky i fundit e njeh mjaft mirë ambientin bardheblu, teksa mori përsipër përgjegjësitë e rikthimit të kryeqytetasve te rezultatet pozitive.
Vetëm 2 ditë në stolin e Tiranës, Ahmataj arriti të merrte një fitore të rëndësishme dhe të rikthente bardheblutë te fitorja në kampionat. Kryeqytetasit fituan 1-0 ndaj Vllaznisë, teksa menjëherë pas kësaj sfide për “MCN TV” Ahmataj do të shprehte dëshirën që të qëndronte gjatë në stolin e kësaj skuadre.
Ky ishte si një mesazh për presidentin, Refik Halili, i cili tashmë duket se ka marrë vendimin dhe ka plotësuar dëshirën e 44 – vjeçarit. Sipas shtypit të shkruar bëhet me dije se drejtuesit kanë mbyllur çdo tentativë për të gjetur një trajner të ri dhe në këto kushte do t’i besojnë Ahmatajt çelësat e kësaj skuadre për ndeshjet në vazhdim.