Ka mjaftuar një postim në facebook për ta bërë të rrëmujshme situatën e delegacionit shqiptar në Rio për lojtarët olimpike. Protagonist është bërë peshëngritësi Briken Calja, një prej dy sportistët tek të cilët Shqipëria shpreson se do të arrihen rezultate të larta. 26-vjeçari publikoi një reagim në faqen e tij personale në “facebook”, aty ku vazhdimisht ka postuar video të përgatitjeve dhe fotografi në Fshatin Olimpik. Calja akuzoi presidentin e Komitetit Olimpik Shqiptar, Viron Bezhani se “mashtron publikisht përsa i takon bursës olimpike”, duke nënvijëzuar se “nuk ka marrë qoftë edhe 1 lek bursë nga KOKSH apo nga Ministria e Sportit”, por është kualifikuar dhe merr pjesë në Rio 2016 vetëm falë shpenzimeve të familjes dhe dashamirësve. Në reagimin e tij, peshëngritësi kuqezi i kërkonte kreut të KOKSH, që të tërhiqte deklaratën e bërë, duke e kërcënuar se në rast të kundërt do ta denoncojë për “shpifje dhe abuzim me fondet e taksapaguesve”.