
Partizani konfirmoi mbrëmjen e djeshme shitjen përfundimtare të Massanga Matondos. Mesfushori kongolez do të transferohet te Hatayspor në Turqi duke i dhënë fund kështu kësaj sage mjaft të lodhshme për klubin.
Matondo ishte kthyer në një çështje të nxehtë pas largimit të tij nga skuadra pa dëshirën e klubit duke mos pranuar të kthehej pavarësisht se ishte nën kontratë. Tashmë edhe kjo çështje merr një zgjidhje duke konfirmuar edhe njëherë punën e shkëlqyer të presidentit Gaz Demi.
Të kuqtë bëjnë një tjetër shitje rekord teksa për të liruar kartonin e Matondos, janë paguar plot 600 mijë euro e mbi të gjitha, kanë ruajtur edhe 20% të kartonit në shitjen e rradhës, raporton shtypi i shkruar. Ky vit është ndoshta viti më i suksesshëm në historinë e të kuqve sa i përket termave financiar teksa bashkë në arkat e klubit kanë hyrë rreth 4 milionë euro që nga shitja e Skukës e deri tek aventura europiane.