Tirana dhe Partizani janë vetëm një ditë larg përballjes mes tyre. Ditën e nesërm në “Air Albania” do të sfidohen për llogaritë e javës së 33-të të kampionatit që në “pijatë” janë edhe fatet e titullit kampion.
Në prag të kësaj sfide në konferencën për shtup ishte i pranishëm, Orges Shehi. Trajneri i Bardhebluve e pranoi se mbi ta ka rënë i gjithë presioni, por në derbi gjithmonë sipas tij kanë vendosur episodet.
Timonieri i kampionëve në fuqi foli edhe për mungesat, ndërsa nënvizoi se kërkon që lojtarët që do të zbresin në fushën e lojës për t’i zëvendësuar të japin në të mirën e tij. Shehi qëndron stoik, pasi sipas tij kjo ndeshje nuk vendos titullin.
Mungesat? Dihet që mungesat janë prezentë dhe ata lojtarë që janë të dëmtuar. Pjesa tjetër është e gatshme. Dhe Kristali (Abazaj) nesër është në gjendje të jetë i gatshëm për skuadrën. Mungesat janë të rëndësishme, janë lojtarë që njëri është golashënuesi i skuadrës, të tjerët janë pjesë shumë e rëndësishme si Hila, si Behiratçe. Por këto janë gjëra që ndodhin dhe ne kurrësesi nuk mund të qajmë mungesat. Do të hedhim në fushë lojtarët që janë të gatshëm për t’i zëvendësuar dhe që të luajnë atë shansin e tyre.
Firmosni për barazimin? Nuk e di nëse është avantazh ose disazvantazh. Skuadrat kanë specifikën e vetë, renditjen, kanë grupin të plotë ose jo, kanë anën psikologjike. Unë mendoj se pas kësaj janë dhe tre ndeshje të tjera të rëndësishme, për objektivin final. Ne jemi shumë të kënaqur që vijmë në këtë moment të kampionatit në këto pozita. Në vendin e parë dhe në finalen e Kupës. Por janë shumë pak ditë edhe këto ditë janë ato që i japin frytet e djersës që ke derdhur gjatë gjithë vitit. Shpresoj që të jemi në më të mirën tonë, sepse duke qenë në më të mirën tonë, atëherë edhe rezultati është më afër, por kjo do dhe pak fat, që shpresoj ta kemi ne nesër.
Unë do të firmosja për lojtarët e mi që të japin më të mirën. Që të futen në fushë për atë që po bëjnë. Dhe pavarësisht mungesa do të kërkoja një skuadër që ka kurajë, ka karakter, që futet në fushë për të dhënë më të mirën e vetë edhe për të shijuar momentin. Kjo për t’i ulur presionin, pasi presioni është i pranishëm në çdo derbi, por është mirë kush e menaxhon. Nëse ke anën emocionale në doza të larta, atëherë dëmtohesh dhe nuk e jep më të mirën tënde. Këtë do t’i kërkoja lojtarëve nesër edhe në dhomat e zhveshjes. Që sa më pak presion dhe sa më shumë krenarë dhe kurajozë për atë që po bëjnë.
Fitorja vendos titullin? Janë dhe tre ndeshje të tjera. Kjo është ndeshje shumë e rëndësishme vendimtare, por jo përfundimtare. Çdo skuadër shkon drejt objektivit. Në këto tre ndeshje ku çdo skuadër është brenda objektivave do të jenë të vështira. Nuk mendoj se është përcaktuese nesër se kush fiton do të vendosë titullin. Derbi. Unë do thoja derbi. Kush e ka provuar derbin këtu nuk hyn asgjë, as renditja, as objektivat, por përqendrimi dhe rëndësia është vetëm te kjo ndeshje, sepse e dimë që derbi ka shumë pak lojë efektive, karakterizohet nga grinta, nga lufta sportive, vendoset nga episodet. Shpresoj që nesër të jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm. Të vlerësojmë episodet, sepse në derbi episodet vendosin shumë për ndeshjen
Colella në stadium? Është një veprim i trajnerit të Partizanit. Sigurisht ndoshta ka dhe kohën e mjaftueshme duke ditur që edhe shumica kanë luajtur para nesh, por është një zgjedhje e tij dhe është pyetje që mund t’ia bëni atij. Ne nuk është se kemi gjë për të fshehur, sepse duke qenë që TV i japin ndeshjet tona, si live si ritransmetim, duke pasur programe që mund të marrësh informacione për kundërshtarin. Kështu që ne kemi pasur vetë si staf që mos të shohim ndeshjet e kundërshtarit, por duke pasur parasysh këto që thash, e kemi më të përqendruar informacionin për ekipin kundërshtar.
Kthimi në Air Albania? Po t’i hapim statistikat fati ynë ka qenë “Elbasan Arena”. Mendoj se derbi është një ndeshje për t’u luajtur në një impiant si “Air Albania”. Shpresoj që nesër tifozët të jenë të shumtë. Mendoj se për derbin është i përshtatshëm stadiumi “Air Albania”.