
Ka shënuar në 22 mars 2016 kundër Norvegjisë, një gol që i dha fitoren kuqezinjve. Sot, Hamdi Salihi nuk do të jetë në fushë, megjithatë për newsport.al ai ka rrëfyer emocionet e kësaj sfide që do të luhet në stadiumin "Elbasan Arena". Ai analizon takimin kundër norvegjezve dhe parashikon autor të golit, Armando Sadikun.
Ka një mendim pozitiv për trajnerin Christian Panuçi, për të cilin shprehet se ka arritur të fusë idetë e tij në formacionin kuqezi. Në fund 34-vjeçari tregon se nuk e ka pritur një ftesë nga ai, pasi tashmë po ndërtohet Shqipëria e së ardhmes me lojtarë të rinj dhe kualitativë.
- Hamdi, dikur i shënojë Norvegjisë në shtëpinë e saj, ndërsa sot do ta shohësh nga jashtë fushe miqësoren e kuqezinjve. Si e parashikoni këtë ndeshje?
Ndeshje të tilla janë takimet më të mira për ekipin tonë. Kundërshtari është i një niveli të mirë dhe të lejon të testohesh si duhet edhe në fazën sulmuese, edhe në atë mbrojtëse. Na duhen sa më shumë ndeshje të këtij niveli.
- Sa ka ndryshuar Shqipëria me Panuccin?
Panuçi po mundohet të fusë idetë e tij pa u ndikuar aspak nga idetë e parardhësit të tij pavarësisht sa i suksesshëm ka qenë ai. Kjo është gjë shumë e mirë mendoj unë. Kur dikush ka idetë e tij dhe nuk mundohet të vazhdojë punën e pararadhësit, por aplikon krejtësisht një strategji të re.
- A beson se do të shënojmë dhe cilin parashikoni si autor të golit?
Besoj se Armando Sadiku do të shënojë pasi ka fituar besimin në vetvete. Ka arritur të përshtatet si duhet me grupin aktual të lojtarëve të tjerë ofensiv. Uroj të shënojë dhe Balaj sepse do ta ndihmonte shumë nga ana psikologjike.
- De Biasi apo Panucci, kë zgjidhni?
Mendoj se është shpejt të krahasojmë punët e njëri-tjetrit. T'ia lemë kohës dhe në fund të japim një mendim përfundimtar.
- A ke pritur një ftesë nga trajneri italian?
Duke parë filozofinë e tij, nuk mendoja se do të kishte një ftesë për mua. Ai po mendon të krijojë skuadrën e së ardhmes, ndaj nuk e kam pritur një ftesë.
- Ku do ta ndiqni sot ndeshjen?
Uroj të arrij në kohë, pasi në atë orar kam stërvitje me skuadrën. Megjithatë do të bëj çmos që mos ta humb. /Retin TOKA/