Të gjithë janë sy e veshë nga ndeshjet e “Abissnet Superiore”, pasi java 24-të është cilësuar si java e derbit, ku Partizani dhe Tirana do të përplasin “brirët” mes tyre në “Air Albania”.
Pikërisht ditën e sotme do të zhvillohen edhe dy sfidat e para, ndërsa do të luhet në aksin Ballsh-Rrogozhinë. Të dy takimet e programuara për ditën e sotme do të startojnë në të njëjtën orë 13:00.
Në “Adush Muça” ka udhëtuar Erzeni për të sfiduar Bylisin, një përballje mjaft interesante ku të dyja ekipet kërkojnë vetëm 3 pikët për objektivat e tyre. skuadra mallakastriote kërkon të rikthehet te fitorja në shtëpi, pasi nuk e njeh atë prej disa javësh. Gjithashtu edhe te shijakasit kanë 4 ndeshje pa fitore dhe sot në Ballsh synojnë 3 pikët për të mos rrezikuar më tepër në klasifikim.
Takimi tjetër luhet mes Egnatias dhe Kastriotit në “Egnatia Arena”. Të dyja ekipet vijnë pas fitoreve në javën e 23-të dhe sot përballë njëra-tjetrës kërkojnë të vazhdojnë me serinë e 3 pikëve. Krutanët luftojnë për mbijetesën, teksa rrogozhinasit i duan për Europën.