Partizani do të bëjë ‘pushim’ këtë javë të Superiores teksa derbi me Tiranën, i programuar të luhej ditën e djeshme u shty për 19 tetor. Në këtë mënyrë të kuqtë ‘marrin’ pak frymë nga kampionati i ngjeshur dhe kanë 1 javë kohë për të përgatitur ndeshjen e rradhës që do të jetë ndaj Skënderbeut, të dielën.
Dje skuadra vijoi normalisht me seancën e rradhës stërvitore me grupin që sa vjen e plotësohet me rikthimet e lojtarëve nga dëmtimet e pezullimet. Të vetmit që mbeten jashtë janë portieri Qirko që vijon rikuperimin nga aksidenti me makinë dhe Andi Hadroj i cili nuk është ende në formën e duhur fizike.
Zekic po shqyrton idetë e para për formacionin titullar dhe emri që ka në mendje është Victor Da Silva. Braziliani ‘mistrec’ u rikthye pas 1 muaji pezullim nga klubi dhe shkëlqeu ndaj Dinamos duke shënuar një gol e asistuar një tjetër. Ai pritet të rreshtohet prapa sulmuesve Bintsouka e Mba duke ulur në stol Tedi Carën.