
Tirana gaboi gjithçka teksa u mposht nga Erzeni në shtëpi vetëm 1 javë para derbit me Partizanin. Bardheblutë futeshin në këtë ndeshje me petkun e kryesuesit të kampionatit dhe një fitore do t’i çonte mjaft komod në supersfidën e javës tjetër. Pas ndeshjes, trajneri Orges Shehi dha prononcimin e tij për mikrofonin e MCN TV.
Jemi të zhgënjyer, nuk mund të them që jam i zhgënjyer me skuadrën e të dal unë si burrë i mirë. Duhet ta interpretonim më mirë lojën, të fitonim top të parë e të dytë e të mos i lejonim lojën kundërshtarit. Është një ndeshje për t’u harruar, për të nxjerrë konkluzione. Një pjesë e lojtarëve duhet të japë 200% e pjesa tjetër të presë momentin e tyre.
Nënvlerësim? Na munguan element të rëndësishëm. Mund të jesh i paqartë taktikisht por kur ke dëshirën dhe grintën nuk duhet ta lësh kudnërshtarin të vij tek porta. Sot na shpëtoi Ilion Lika pasi edhe kur ishim në disavantazh, Erzeni pati raste goli. Kur ke një grup lojtarët që mendon se je i dubluar dhe luan cdo 3 ditë, menduam të ruajmë pak forcat duke ditur që kontigjenti është i përafërt me njëri-tjetrin. Nuk na doli ashtu siç e menduam.
Najdovski në mesfushë? Kërkonim që të shtonim agresivitet dhe të shtynim lart me Haxhiun kur sulmonim. E bëmë për të shtyrë Haxhiun më lart. Në atë pozicion edhe dy mesfushorët e tjerë duhet të ndihmojnë në mbrojtje. Nuk na shkoi siç duhet ajo që përgatitëm.
Është formacioni stabël? Cdo gjë që ndodh shërben për të mësuar dhe ne pjesën më të madhe e kemi të kristalizuar. Me ardhjen e Deliut na shtohet një forcë defensive në mesfushë. Në ndeshjen në vijim do të shikoni pak ndryshime. Do të fokusohemi te lojtarët që janë dhe të tjerët do të luftojnë për të zënë vend kur të thirren në apel. Kjo ndeshje na ka shërbyer vetëm për keq. Ta marrim si mësim nga unë i pari. Kampionati është i gjatë dhe në fund do të kemi një Final Four, do të fokusohemi të japim 100%.