
Teuta ka nisur pasditen e djeshme përgatitjet për sezonin e ri futbollistik. Nën udhëheqjen e Julian Ahmatajt, grupi ka qenë jo i plotë, pasi ka pasur mungesa, Nijaz Lena dhe Shpëtim Moçka. Portieri nuk dihet nëse ka arritur akordin për sezonin e ri, ndërsa mesfushori do të kthehet shumë shpejtë.
Burime konfidenciale pranë mesfushorit nga Struga, bëjnë me dije se ai ka rinovuar të shtunën me durrsakët, ndërsa ka kërkuar disa ditë më tepër leje. 30-vjeçari Nijaz Lena pritet që të kthehet në stërvitje në ditët e ardhshme.
Ganezi – Përpos lojtarëve shqiptarë, Teuta pritet që të afrojë një afrikan. Saktësisht bëhet fjalë për një sulmues ganez. Ky i fundit do të dalë në provë, ku do të mësohet dhe emri i tij. Në rast se do të pëlqehet nga stafi, ai do të firmosë për “Djemtë e Detit”.