Vllaznia dhe Dinamo do të përballen këtë të shtunë, në kuadër të javës së 29-të të “Abissnet Superiore”. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi”, nis në orën 18:00.
Pikërisht për këtë duel të fortë, klubi shkodran ka njoftuar sot se ka nxjerrë në shitje biletat. Së bashku me informacionin e vendodhjes së pikave të shitjes, Vllaznia ka publikuar edhe çmimet.
Kështu, një biletë në tribunën C kushton 200 lekë të reja, ndërsa në atë E 500 lekë të reja. Për të vazhduar më pas me tribunën D (400 lekë të reja) dhe A e B (1000 lekë të reja).
Si gjithmonë, tribuna më e shtrenjtë është ajo VIP, një biletë në të cilën kushton 1500 lekë të reja. Vlen të përmendet se dueli pritet të jetë interesant, duke ditur edhe situatën e “nxehtë” mes trajnerëve, Edi Martini e Ilir Daja.


