Flamurtari u mposht në shtëpi në javën e fundit në kampionat nga Elbasani, me shifrat 1-2. Megjithatë, përpos faktit të humbjes, ajo çka ra në sy ishte tensioni në tribuna gjatë 90 minutave lojë.
Sikur mos të mjaftonte kjo, kaosi përfshiu këtë duel në përfundim të tij. Përplasjet vazhduan në dhomat e zhveshjes mes disa tifozëve dhe stafeve respektive. Nga gjithë kjo situatë, e ka pësuar klubi nga Vlora, të cilët janë gjobitur me 300 mijë lekë të reja nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës.
Përveç gjobës, në “shpinën” e Flamurtarit rëndojnë edhe pezullime. Zyrtari i klubit vlonjat, Artan Memetaj është pezulluar me 1 vit, ndërsa titullari absolut Squadrone është pezulluar me 6 ndeshje.
VENDIMET:
Flamurtari FC, për mospërmbushje të përgjegjësive për rendin dhe sigurinë pas përfundimit të ndeshjes, si dhe për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të neneve 17/1 dhe 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë.
Zyrtari i Flamurtari FC, Artan Memetaj, për sulm ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtarë, në bazë të nenit 14/1/i të KDE, dënohet me 1 (një) vit pezullim nga të gjitha veprimtaritë e organizuara nga FSHF. Në zbatim të nenit 6/2/c të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet, në veprimtaritë sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundim të dënimit.
Lojtari i Flamurtari FC, Squadrone Luciano Gaston, për sulm ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtarë, në bazë të nenit 14/1/i të KDE, dënohet me 6 (gjashtë) muaj pezullim nga të gjitha veprimtaritë e organizuara nga FSHF. Në zbatim të nenit 6/2/b të KDE, lojtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit, deri në përfundim të dënimit.


