
Vllaznia do të përballet me Bylisin në “Adush Muça” në kuadër të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, takim që nis në orën 13:00. Në prag të këtij dueli në konferencën për shtyp ishte i pranishëm MIrel Josa, i cili analizoi skuadrën e tij, ndërsa deklaroi se sulmuesi Bekim Balaj nuk do të mund të debutojë.
“Për ne lajmi i mirë është firmosja me Balaj. Ai u bë pjesë e jona. Nuk kam nevojë që të flas unë për Bekimin. Duhet të përqendrohemi komplet te ndeshja e Ballshit, e cila është shumë e rëndësishme për ne, sepse luajmë në dy kompeticione. Duke pasur parasysh kthesën që kanë marrë lojtarët.
Skuadra është e plotë. Do të mundohemi që të hedhim në fushë lojtarët më të freskët. Latifi jo, Boshnjaku jo, Bulatoviç jo, Aralica jo. Këta janë lojtarët që nuk do të jenë për shkak dëmtimi. Ne do të shkojmë në Ballsh për të dhënë 100% tonë.
Balaj është në proces stërvitor. Një lojtar që stërvitet individualisht nuk mund ta marrë me vete sepse ka nevojë për seanca të tjera stërvitore. Këtu nuk ka asnjë problem me Bekimin që nuk do të luajë në Ballsh. Sepse do të luajë ndeshjen tjetër që e kemi përsëri në Ballsh.
Unë i kam bërë sugjerimet e mija. Ka lojtarë që i janë bërë propozime nga lubi. Por ata nuk kanë rënë dakord ekonomikisht. Merkato e Vllaznisë nuk është e mbyllur deri me datë 31. Kështu që do të presim çfarë mund të bëjmë në këtë drejtim dhe pastaj të vazhdojmë punën.
Duhet të kemi parasysh që të jemi të kujdesshëm dhe ata që do të luajnë të japin 100%. Kush të jetë më i miri le të luaj. Balaj nesër nuk luan. Unë po flas për ndeshjen e nesërme. Për vazhdimësinë kemi kohë”, u shpreh Josa.