
Orët e fundit po qarkullonte lajmi se trajnerët e Korabit Gerd Haxhiu dhe Ermal Nexhipi ishin larguar nga drejtimi i skuadrës dibrane. Për këtë newsport.al kontaktoi drejtorin e përgjithshëm të klubit, Fehmi Mëziun, i cili mohoi lajmin. Mëziu theksoi se sot trajneri vlonjat kishte qenë i pranishëm, por më pas ishte larguar për shkak të disa problemeve shëndetsore. Ai i kishte dhënë udhëzimet skuadrës dhe lojtarët ishin stërvitur pa praninë e tij.
Drejtori i dibranëve theksoi që nuk ka asgjë alarmante, madje zbuloi që sot ishte bërë një analizë para fillimit të ndeshjes. Për newsport.al, ai deklaroi: "Sot u zhvillua seanca e radhës stërvitore e planifikuar nga stafi teknik. Para fillimit të kësaj seance pati një analizë për ecurinë e skuadrës gjatë këtyre javëve, ku sigurisht shpreha pakënaqësitë e mia pak me tone të larta për atë që lojtarët kanë dhënë në fushën e blertë.
Rezultatet negative dhe humbjet javë pas jave nuk lënë shije të mirë te asnjë drejtues, kështu që unë i kërkova të reagonin për 9 javët e mbetura. I pranishëm ishte edhe trajneri Gerd Haxhiu dhe dua të deklaroj që ai është në krye të skuadrës deri në fund të sezonit. Pasi nxori lojtarët në stërvitje dhe u dha programin, me miratimin tim ai u largua pasi nuk ndihej mirë.
Dua të theksoj që nuk ka asnjë largim nga klubi i Korabit dhe do të respektojmë kampionatin deri në ditën e fundit", përfundoi për newsport.al Fehmi Mëziu. / Newsport.al/ Retin TOKA