
Ndërkohë që ka mbetur vetëm një ndeshje për tu luajtur për të mbyllur zyrtarisht kampionatin për këtë vit, drejtuesit e klubeve në Superligën shqiptare kanë nisur nga puna për ndërtimin e "skuadrave të reja".
Kukësi është një ndër ekipet që ka siguruar vendin e dytë dhe tashmë pritet që në kampin lindor të ketë lëvizje të reja, si në hyrje ashtu dhe në dalje sa i përket merkatos. Së fundmi, zbulohet se mesfushori me tipare slmuesi, Elton Kale mund të largohet nga Kukësi për të firmosur një kontratë të re në Arabinë Saudite.
Nuk dihet ende se cila skuadër ka shfaqur interes për brazilianin, por duket se gjithçka është e mbyllur, pasi te ekipi i ri, 29-vjeçari do marrë një rrogë prej 7 mijë eurosh në muaj me skuadrën e re, nga 2500 euro që merr aktualisht te Kukësi.
Ndërkohë që flitet për largime, drejtuesit e klubit të Kukësit po mendojnë dhe për afrime. Emri që përflitet në kampin verilindor është ai i sulmuesit të Kamzës, Sebino Plaku. "Mik" për konkretizimin e marrëveshjes mes palëve ka hyrë Nderim Nexhipi, i cili dihet se ka një miqësi të hershme me 33-vjeçarin. Thuhet se gjithçka është mbyllur, por problem mbetet vetëm paga. Presidenti Safet Gjici ka menduar të ofrojë vetëm gjysmën e rrogës që ka dashur sulmuesi. Pritet që ditët në vijim të zgjidhet dhe ky problem për të mbyllur përfundimisht marrëveshjen mes palëve.