
Ledian Memushaj është shfaqur tejet i mërzitur për humbjen e mbrëmshme ndaj Francës. Ai ka deklaruar që kuqezinjtë e meritonin një pikë, me atë çka dhanë në fushën e lojës.
“Normalisht që jemi të mërzitur, por tani duhet ta harrojmë edhe të mendojmë për ndeshjen me Rumaninë, pasi nuk kemi shumë kohë. Zhvilluam një ndeshje të mirë, por ai goli i pësuar në minutën e 90-të na preu këmbët. Besoj që një pikë duhet të kishim marrë. Me këto dy ndeshje meritonim më tepër nga sa kemi arritur. Meritonim një pikë me Zvicrën dhe një ndaj Francës. Por, të gjithsa këto duhet ti hedhim pas shpine”.
I pyetur se ku çaloi Kombëtarja kuqezi, Memushaj u shpreh:
“Nuk e kemi bërë ende analizën për ndeshjen me Francën. Ajo ndeshje duhet harruar. Kemi tre ditë për të përgatitur ndeshjen me Rumaninë që duhet ta fitojmë me patjetër. Kemi një ndeshje shumë të vështirë me Rumaninë. Ata kanë vetëm një rezultat sepse duan të fitojnë, ashtu si edhe ne. Pres një ndeshje të bukur me hapësira”.
Memushaj u pyet nëse do të jetë në formacion ndeshjen e radhës dhe përgjigja tij ishte:
“Tani mendoj vetëm të rikuperoj sa më mirë, sepse dje jemi lodhur shumë. Skuadra vrapoi shumë me Francën. Duhet të pushojmë edhe më pas të shohim se cili do të jetë më mirë fizikisht. Këto i vendos trajneri. Edhe Rumania ka luajtur dy ndeshje të vështira dhe fizikisht ka shpenzuar shumë, ashtu si ne kundër Zvicrës dhe Francës”.