Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, foli në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Erzenin, nesër në orën 15:00 në ‘Selman Stërmasi’. Tekniku i bardhebluve në fjalën e tij para gazetarëve u shpreh se do ta vlerësojë siç duhet ekipin shijakas ndërsa evidenton kalendarin e ngjeshur deri tani me 3 ndeshje në 4 ditë.
“Një tjetër ndeshje, në harkun kohor prej katër ditësh, u bënë tre ndeshje që e luajmë çdo katër ditë. Përballë Erzenit që edhe këtë sezon, edhe sezonin e kaluar, edhe pse ka pasur problematika në organizim, janë konfiguruar vonë, po bën mirë. një skuadër që ka shënuar pothuajse sa ne, një skuadër me entuziazëm, me dëshirë, gjë që është shumë e rëndësishme në ecurinë e një skuadre. Mendoj se kemi një ndeshje të vështirë. Do të mundohemi që ta interpretojmë edhe në kuadrin e asaj që të jemi ne ata që do fitojmë takimin.
Rotacion? Nuk është pikësynimi te derbi. Pikësynimi dhe e gjithë epiqendra është te ndeshja e nesërme. Sigurisht unë e preka edhe pak më parë që luajmë çdo katër ditë. Do të kemi prapë pas katër ditësh, do të kemi prapë pas katër ditësh dhe sigurisht në disa pozicione që ne jemi të dubluar mund të ketë ndonjë ndryshim, por duke pasur parasysh atë që thash, disa elementë ose disa pozicione janë të dubluara. Nesër mund të ketë ndonjë zëvendësim, por jo në atë që ne kërkojmë të interpretojmë.
Në katër javë kemi marrë 10 pikë. Edhe në takimin që dolëm barazim kërkonim të merrnim maksimumin. Pikët janë thelbësore në kampionat, por edhe duke pasur ndryshime, edhe duke pasur lëvizje njerëzish, duke pasur edhe dëmtime, jemi munduar të ndryshojmë herë pas here si gjatë lojës, por edhe para përgatitjes së ndeshjes. Na vjen mirë që jemi në këtë ecuri. Sigurisht e mira nuk ka fund dhe kërkojmë që të përmirësohemi. Shpresojmë të vazhdojmë në këtë rrugë, sepse kemi rrugëtim të mirë në klasifikim.
Patrik dhe Selmani? Janë dy lojtarë të rëndësishëm. Sigurisht që nuk bëhet fjalë tani shpejt. Kur them tani shpejt, e kam fjalën për një muaj, një muaj e pak. Selmani ka filluar riaftësimin me fizioterapistin tonë. po shkon mirë. shpresojmë të rikthehet sa më shpejtë. Kurse Patrik ka filluar të dalë në fushë, duke bërë stërvitje individuale dhe siç thash pas një muaj e pak do të shohim. Patrik është më afër për t’u rikthyer, sepse koha e tij ishte relativisht e gjatë, pothuajse 7-8 muaj”, u shpreh Shehi.