
Tirana u mposht nga Skënderbeu në kuadër të javës së 21-të të Superiores, sfidë që përfundoi 4-3 në favor të korçarëve. Në këtë përballje bardheblutë u “tradhtuan” nga kapiteni i skuadrës.
Erjon Hoxhallari u ndëshkua me karton të kuq dhe la kështu kryeqytetasit me 10 lojtarë në fushën e lojës për më shumë se 20 minuta. Por jo vetëm kaq, pasi do të mungojë edhe ndaj Kukësit, takim që do të luhet ditën e shtunë në orën 13:30 në “Kukës Arena”.
Mbrojtja siç duket ka vendosur të “tradhtojë” sërish Julian Ahmatajn, i cili në duelin me Skënderbeu vuajtir mungesën e Albi Dokës, i cili gjithashtu ishte ndëshkuar me karton të kuq në përballjen me Teutën.
Por ngushëllimin për mungesën e kapitenit, trajneri i bardhebluve mund ta gjej te rikthimi i Fjoart Jonuzit. Mesfushori ka kaluar dëmtimin dhe tashmë do të jetë i gatshëm për duelin me verilindorët në kampionat.