E gjithë vëmendja e opinionit futbolldashës është te finalja e Europianit, që luhet më 10 korrik, por si pa u vënë re klubet po bëhen gati edhe për sezonin e ri. Në Austri vijnë shumë ekipe të huaja për fazën përgatitore dhe një nga ato është edhe Teuta e Durrësit, që këtu ka luajtur dhe disa miqësore para ndeshjeve në Ligën e Europës me Almatin. Me Riedin u mund 0-1 dhe deri këtu gjithçka "ok", por me Austrinë e Vjenës ekipi shqiptar humbi 7-2 dhe këtu ka diçka që nuk shkon. Kjo ndeshje ka bërë që hetuesit federalë në Austri të bëjnë një kontroll rrufe në hotelin, ku ishte akomoduar Teuta, pasi janë ngritur dyshime të forta se ekipi shqiptar ka manipuluar ndeshjen, në bashkëpunim me mafien e basteve. Po grumbullohen të gjitha provat e mundshme për këtë çështje, për t'u vlerësuar më pas nga organet kompetente. Një njësi speciale, që lufton krimin në sport dhe mashtrimin nga bastet është themeluar shumë vjet më parë dhe tani po merret me këtë çështje.
Hetuesit austriakë kanë marrë famë dhe merita për skandalin e madh të basteve, që kishte në qendër ish-sulmuesin Sanel Kuljiç në fund të vitit 2013. Ai u dënua për shumë vjet për mashtrim në sport. Pak ditë më parë Skënderbeu është përjashtuar nga pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve për trukim ndeshjesh, ndërsa tani dyshimet kemi çështjen e Teutës. Kompania "Sportradar" kishte perceptuar lëvizje të parregullta bastesh për ndeshjen e Teutës me Riedin, ndaj dhe ndeshja tjetër miqësore, ajo me Austrinë e Vjenës, ishte në fokusin e hetuesve. Dhe bëhet fjalë për një mashtrim me shifra të mëdha. Ndërkohë, dyshime të forta janë ngritur edhe për humbjen e thellë të Teutës në ndeshjen e kthimit me Almatin në Kazakistan. Madje, u paralajmërua se ekipi shqiptar do të humbiste thellë, ndërkohë që fluksi i basteve ishte anormal.
Nga një studim i Universitetit Sorbon është mësuar se në botë luhen rreth 500 miliardë euro në vit, ku rreth 80% e tyre janë në tregun e paligjshëm. Austria renditet ndër vendet e para që luftojnë krimin e basteve dhe ka një qendër kombëtare për parandalimin i këtij fenomeni në sport.
Faksimile e shtypit austriak per ceshtjen e Teutes