Është larguar fare i vogël nga Shqipëria, megjithatë gjuhën amë dhe atdheun e tij e njeh mjaft mirë. Bëhet fjalë për një talent shqiptar që tashmë ka arritur akordin me klubin e madh anglez QPR (Queens Park Rangers). Kristi Kullaj, mesfushori kuqezi me tipare sulmuese ka dhënë një intervistë ekskluzive për newsport.al. 19-vjeçari ka qenë më parë pjesë e Kombëtares U-17 të drejtuar nga Mustedanagiç.
Prej shumë vitesh ka luajtur në Belgjikë, ndërsa tashmë është gati të hedhë hapin e madh në karrierë. Kullaj ka dy dëshira që i thotë mjaft hapur. E para të ftohet nga trajneri i Shpresave, Alban Bushi dhe e dyta të debutojë sa më parë në Championship. Shpeshherë thuhet që ëndrrat janë të vështira për t'u realizuar. Megjithatë për Kristin nuk është kështu. Madje ai ka edhe një këshillë për të gjithë bashkëmoshatarët e tij.
- Kristi përshëndetje! Je nga Mallakastër, pse zgjodhe të largohesh nga Shqipëria?
Unë jam larguar nga Shqipëria fare i vogël. Në moshën 1 vjeç e gjysmë, prindërit vendosën të vinim në Belgjikë. Kam lindur në Fier dhe tashmë jam 19-vjeç.
- Pasioni juaj është futbolli. Prej sa vitesh e ushtron si profesionist dhe me cilin ekip bën pjesë?
Prej 10-vitesh luaj me Zulte Ëaregem. Tani jam shumë pranë kalimit te QPR në Angli.
- Luan si mesfushor i avancuar, ndërsa më parë ke qenë pjesë e Kombëtares së moshave. A keni marrë një ftesë nga kuqezinjtë?
Është e vërtetë që më parë kam qenë pjesë e Kombëtares U-17 pas ftesës që mora nga trajneri Dzemal Mustedanagic për ndeshjen miqësore kundër Italisë. Kam luajtur disa takime, por me "Axurrët" debutova. Kur isha pjesë e Kombëtares U-17 jam ftuar në gjitha ndeshjet. Kam luajtur kundër Brazilit, Meksikes, Austrise, Costa Rikes , Arabine Saudite dhe kualifikuesit ne Uells kundra Holandes, Zvicres dhe Uellsit.
- Po tani pse nuk jeni thirrur më?
Nuk e di! Bogdani nuk më ftoi.
- A beson se tashmë do t'iu vijë një ftesë nga Kombëtarja U-21?
Sigurisht që besoj. Mendoj se trajneri Alban Bushi do të ma mundësojë një ftesë në Kombëtare.
- Në aspektin personal, ç'mendon për të ardhmen?
Fillimisht dua të debutoj sa më parë në Championship dhe më pas të tjerat do të vijnë vetë. Shpresoj të debutoj me Kombëtaren U-21 dhe më pas të shohim çdo të ndodhë.
- Kalimi juaj te QPR është mbyllur përfundimisht?
Kemi arritur akordin dhe në datën 8 korrik do të jem në Londër së bashku me menaxherin, teksa më pas do të nis stërvitjen.
- Duke qenë se keni lindur në Shqipëri, a e ndiqni kampionatin tonë?
Po, e ndjek, por jo shumë. Zakonisht së bashku me familjen shohim ndeshjet e Skënderbeut kur luante në Europë.
- Ëndrra jote po bëhet realitet. Për të gjithë bashkëmoshatarët e tu, ke diçka për t'i thënë?
Dua thjesht t'i them që të besojnë në veten e tyre. Të japin maksimumin dhe të punojnë fort. Një ditë puna e tyre do të shpërblehet. /Newsport.al/