Jeton në Amerikë, por nuk e ka humbur pasionin dhe konsideratën për skuadrën e Lushnjës. Artian Rrëza është personi që ka sponsorizuar fanellat e ekipit të Lushnjes që luan në Kategorinë e Parë, dhe pas 10 ndeshjeve gjendet në vendin e 12, ndërkohë që në këtë ligë janë 14 skuadra.
Fanella e re e ekipit të Lushnjes ka një vecanti: në pjesën ballore të saj është vendosur Shtëpia e Kongresit të Lushnjes.
Por duket se ekipi nuk i ka punët mirë përsa kohë që në pankinën e vet trajnerët që kanë drejtuar skuadrën kanë ndryshuar shumë shpesh. Trajneri i ri mori detyrën vetëm një ditë më parë.
Artian Rrëza, është djali lushnjar që ka investuar dhe ka sjellë në qytetin e tij të Lushnjes fanellat e reja. Ai punon si drejtor teknik në një fabrikë thermoplastike në Shtetet e Bashkuara. Edhe pse sic shprehet në rrjetet sociale nuk është dakord me performancën e ekipit, sërish ndihma logjistike nuk ka munguar.
Mikel Canka, kapiteni legjendar i skuadrës pranon publikisht se performanca e skuadrës nuk ka qenë në nivelin që pritej nga mbështetësit e saj dhe nga tifozëdashësit lushnjarë.
“Artian, një falenderim për kontributin që dhe për ekipin e qytetit tonë. Rezultatet nuk janë në nivelin e duhur por do japim maksimumin për të dalë nga kjo situatë. Forca Lushnja” shkruan Canka duke prezantuar grupin e futbollistëve me fanellat e reja.
Kjo fanellë zyrtare me shtëpinë e kongresit duket se është miratuar edhe nga bashkia e qytetit përsa kohë që me të është luajtur një ndeshje. Pritet në vazhdim të shihet nëse djemtë e Lushnjes do arrijnë të ngrihen në nivelin e fanellës që kanë, me shtëpinë e Kongresit mbi shpinë, një ngjarje madhore jo vetëm për qytetin e Lushnjes, por për shtetformimin shqiptar.
Kongresi i Lushnjes zhvilloi punimet në janar –shkurt 1921. Prej tij u vendos shpallja e Tiranës kryeqytet dhe krijimi i qeverisë shqiptare që do të mund të mbante së bashku trojet shqiptare.