Për shkak të ndeshjeve të kombëtares, ndeshjet e javës së 3-të të Superiores janë vendosur të luhen në mesjavë. Të mërkurën, të enjten dhe të premten janë parashikuar të zhvillohen sfidat në oraret të ndryshme,
Më 13 shtator janë parashikuar të zhvillohen dy takime. Në orën 16:00 Egnatia pret Erzenin në “Egnatia Arena”. Rrogozhinasit do të tentojnë një tjetër fitore si ajo ndaj Kukësit, teksa shijakasit pas 2 barazimeve radhazi do të kërkojnë 3 pikët e para të sezonit.
Në orën 19:00 do të jetë radha e Dinamos dhe Kukësit. Si “Blutë” ashtu edhe verilindorët në “Elbasan Arena” do të kërkojnë fitoren e parë për këtë sezon, pasi janë dy ekipet e vetme që nuk kanë mundur të marrin asnjë pikë. Gjithashtu në stolin e Kukësit do të debutojë Stavri Nica.
Ndërkohë të enjten më 14 shtator në orën 15:00 do të luhet një duel mjaft interesant mes Tiranës dhe Skënderbeut. Në “Selam Stërmasi” pritet që të zhvillohet kjo përballje, me korçarët që vijnë pas 2 fitoreve rresht, ndërsa bardheblutë kërkojnë të ndalin hapin e djemve të Ivan Gvoazdenovic.
Në orën 18:00 gjithashtu në fushë do të zbresë skuadra tjetër kryeqytetase. Vllaznia pret Partizanin në “Loro Boriçi”. Një përballje e luftuar pritet të jetë mes të kuqve dhe shkodranëve.
Takimi i fundit për këtë javë është parashikuar për të premten në orën 16:00. Laçi do të presë Teutën, me durrsakët që synojnë të thyejnë “mallkimin” e kurbinasve. Vendasit kanë arritur të marrin 4 fitore në sezonin e kaluar. Të dyja ekipet do të tentojnë 3 pikët e para për këtë sezon.