
Ecuria e Kukësit deri tani në kampionat nuk ka qenë ajo që ishte parashikuar nga drejtuesit e klubit në fillim në kampionatit. Në këto kushte, klubi verilindor ka nisur merkaton ende pa nisur zyrtarisht kjo e fundit duke piketuar lojarët që i duhen për pjesën e mbetur të kampionatit.
Sot, zbulohet se të besuarit e presidentit Safet Gjici, që janë caktuar pikërisht për të gjetur lojtarët e rinj, i kanë prezantuar "numrit 1" të klubit dy lojtarë të rinj. Bëhet fjalë për dy sulmues race.
I pari është nga serbia, Marko Obradoviç. 26 - vjeçari njihet si sulmues mjaft potent dhe ka luajtur për disa ekipe të njohura. Ai ka luajtur në Ligën e Dytë belge për Eupen dhe Francs Borains. Gjithashtu ka qenë pjesë edhe e ekipit të Radnikës në Bosnje-Hercegovinë. Aktualisht luan në Premier Ligën kazake, te Obtobe, ku ka zhvilluar 14 takime dhe ka shënuar 2 gola.
Sulmuesi i dytë është Mario Budimir. Ky i fundit ka lindur në Kroaci dhe është 31 - vjeç. Aktualisht luan te ekipi i Zrinjskit në Bosnje.
Problemi i vetëm për arritjen e një marrëveshje të mundshme me të dy sulmuesit është paga e lartë që kërkojnë lojtarët, por duke parë se Kukësi për momentin gjendet në vështirësi, presidenti, Safet Gjici mund të bëjë një sforco për tu plotësuar kushtet dy sulmuesve për t'i sjellë këta të fundit në Kukës për pjesën e mbetur të kampionatit.