
Kukësi do luajë ndaj Vllaznisë sot në orën 14:00, ndeshje e vlefshme për javën e 26-të të kampionatit. Padyshim që interesi për këtë përballje është i madh për faktin se të dyja skuadrat kërkojnë të marrin tre pikë të plota. Nga njëra anë Kukësi kërkon të blindojë vendin e dytë, ndërsa Vllaznia ka mundësinë dhe kërkon me çdo çmim të largohet sa më shumë nga zona e rrezikut.
Për takimin e sotëm që so të zhvillohe në "Zeqir Ymeri" mësohet se hyrja për tifozët do të jetë falas. Ky vendim është marrë nga presidenti i klubit të Kukësit, Safet Gjici i cili nisur nga fakti që mbështetësit e skuadrës kanë qenë të paktë në numër javët e fundit, ka vendosur ta bëjë falas hyrjen në stadium për ditën e sotme.
Bazuar në vendimin e marrë nga presidenti Gjici, pritet që numri i tifozëve në mbështetje të kampionëve të jetë disi më i lartë, për vetë faktin që skuadra e tyre luan një ndeshje të rëndësishme dhe mjaft deçizive sa i perket sigurisë për plotësimin e objektivave të përcaktuara në fillim të kampionatit.