
Në këtë merkato janari ka qenë Skënderbeu që ka bërë lëvizjen e bujshme në merkaton brenda vendit. Korçarët arritën marrëveshjen me Luftëtarin për blerjen e dy "yjeve" të ekipit gjirokastrit në këtë merkato.
Tashmë gjithçka është konfirmuar, pasi së fundmin në zyrat e FSHF-së është dorëzuar kontrata e blerjes së Kristal Abazajt për shifrën rekord 200 mijë euro. Nga ky muaj, Abazaj do të paguhet 5 mijë euro në muaj, rrogë e cila do të paguhet nga Skënderbeu dhe në fund të sezonit do t'iu bashkohet korçarëve.
Situata e Dejvi Bregut është pak më ndryshe. Transferimi i tij te kampionët e dimrit do të marrë formë të prerë në muajin qershor. Kontrata e futbollistit me Lufëtatin përfundon në datë 31 maj, ndërkohë që mes dy palëve është nënshkruar një parakontratë.
Edhe pse në adresim të Bregut në merkaton e janarit pati shumë oferta, ai ka preferuar të respektojë vendimin dhe dëshirën e dy presidentëve të klubeve për të kaluar në qershor te korçarët. Nga kjo shitje Luftëtari do të përfitojë 100 mijë euro.