
Gjelbrim Taipi nuk do të jetë më lojtar i Kukësit për sezonin e ri. Kapiteni ka vendosur të ndajë rrugët me verilindorët edhe pse kishte edhe një vit kontratë me ta. Mungon ende zyrtarizimi i këtij largimi nga palët, por tashmë janë zbuluar edhe prapaskenat e kësaj “ndarje” të parakohshme mes tyre.
Fillimisht pakët ishin optimist për vijimin e bashkëpunimit, por disa paga të prapambetura ndaj lojtarit duket se kanë prishur raportin mes tyre. Mesfushori ka kërkuar të shlyhej gjithçka pas përfundimit të sezonit, por nga ana tjetër mospjesmarrja në Europë ka acaruar drejtuesit që kanë refuzuar t’i japin pagat.
Kjo ka detyruar kapitenin të heq dorë nga Kukësi për të mbyllur menjëherë bashkëpunimin mes tyre. Kujtojmë se për Gjelbrimin interes ka treguar Vllaznia dhe në ditët në vijim pritet të ketë diçka më zyrtare në drejtim të tij.
Me largimin e kapitenit të Kukësit ka ardhur menjëherë edhe largimi i vllait të tij, Shqiprimit. Këtij të fundit i përfundoi kontrata në fund të sezonit, por duke parë situatën ka vendosur të mos rinovojë me verilindorët. Një largim “dopio” që lë “boshllëk” në mesfushën e Kukësit, me drejtuesit që duhet të gjejnë menjëherë edhe zëvednësuesit e tyre. Ashtu si për Gjelbrimin edhe për Shqiprimin nuk mungojnë interesimet, më saktësisht nga Azerbajxhani.