Fillimisht u tha se te Kastrioti do të nisin përgatitjet më 18 korrik, por edhe sot, pas një muaji, krutanët nuk kanë zbritur në fushën e blertë. Një situatë kaotike, kur kampionati do më pak se një muaj të vazhdojë, dhe Kastrioti momentalisht nuk “ekziston”.
[caption id="attachment_27950" align="alignleft" width="300"] Skuadra e Kastriotit sezonin e shkuar[/caption]
Drejtuesit e kanë konfirmuar trajnerin prej kohësh, por deri më tani ai nuk ka drejtuar asnjë seancë stërvitore. Asnjë lojtar nuk ka rinovuar, dhe nëse duam të flasim për afrime, është e kotë. Gjithçka është në ajër, me një Kastriot të “shkrirë” aktualisht, pasi përgatitjet janë shumë vonë dhe asgjë nuk shihet në horizont.
Është folur për objektiva madhorë, për rikthim në Superiore dhe afrime cilësore, por askush nuk po i sheh, ndaj situata nuk do mend të kuptohet se nuk është aspak e mirë. Skuadrat e tjera kanë nisur nga puna, madje ekipe si Kamza, Besëlidhja dhe Erzeni kanë bërë afrime cilësore, e për t’i konkuruar ato duket shumë e vështirë.
Koha është në disfavor, por edhe tregu i lojtarëve i varfër, ndaj duhet nxituar, ndryshe sezonin e ardhshëm do të duhet të luftojnë për mbijetesë në të Parën, gjë që nuk i shkon për shtat Kastriotit. Edhe një tjetër afat për të zbritur në fushë u “thye”, pasi as dje ekipi nuk u stërvit, ndryshe nga se pritej, e tanimë gjendja sa vjen e bëhet më alarmante.