Pogradeci do të zbresë në fushë për të kërkuar një tjetër fitore të rëndësishme ndaj Kukësit pas suksesit të Skënderbeut. Ekipi i drejtuar nga Emiliano Çela do të jetë “all-in”, teksa përballë do të kenë ekipin e fundit në tabelën e klasifikimit.
Ditën e sotme liqenorët kanë shansin e artë që të sigurojnë 3 pikët dhe të shpresojnë te një hap fals i rivalëve në sfidën Laçi – Skënderbeu. Rezultati i kësaj sfide do të përcaktojë edhe renditjen e Pogradecit pas kësaj jave.
Kjo pasi, pogradecarët aktualisht janë 1 pikë pas Laçit të vendit të dytë dhe 8 pikë larg nga Skënderbeu i vendit të parë. Kështu pas 90 minutave të ditës së sotme, Pogradeci synon të marrë vendin e dytë në klasifikim dhe t’i bëjë “presion” korçarëve në garën për titullin kampion.
