
Besa e Kavajës fitoi përballë Kastriotit në sfidën e vlefshme për javën e katërt të Kategorisë së Parë. Ndeshja e zhvilluar në Rrogozhinë përfundoi 3-0 në favor të Besës, golat për të cilët i shënoi Mentor Mazrekaj. Pas kësaj sfide foli trajneri i kavajasve, Mirel Josa.
“Nuk është problemi se kishim vështirësi pasi të gjitha ekipet dinë të mbrohen dhe të luajnë futboll. Ne duhet të respektojmë maksimalisht skuadrat kundërshtare, pasi kështu respektojmë punën tonë. Megjithatë goli që shënuam në minutat shtesë të lojës neve na ndihmoi shumë pasi ishte goditje për kundërshtarin. Në pjesën e dytë ishim më të qartë pasi Kastrioti u hap më tepër.
Organika, ndonjë peng? Nuk kam asnjë peng përsa i përket organikës. Unë jam pyetur për merkaton, por nuk jam ai që ka negociuar. Unë jam i kënaqur me lojtarët që kam, por u kam kërkuar që të jenë më të përqendruar dhe të jemi një skuadër solide. Flamurtari dhe Vora janë rivalët kryesorë tanët, pasi kanë investuar. Problemi është që një skuadër duhet të dijë, pasi të gjitha skuadrat luajnë për 3 rezultate”, tha Mirel Josa.