
Lushnja ringrihet dhe këtë e bën më së miri ditën e sotme. Lagunarët kanë shpartalluar me rezultat tenistik 5-0 ekipin verior të Kukësit në sfidën e Kategorisë së Parë luajtur në qytetin e Lushnjës në orën 14:00.
Ekipi e dominoi plotëisht takimin nga fillimi deri në fund dhe arriti golat me anë të Tabakut, Jerryson, Olola dhe Canka. Bie në sy paraqitja fantastike e bomberit të sulmit lushnjar, Mikel Canka që rikthehet në ditët e tij të lavdishme dhe shënon dopietën personale duke udhëhequr skuadrën si një kapiten i vërtetë. Statistikë interesante është dhe gjetja e golit nga të dy lojtarët e huaj në kampin “Verdhjeshil”, sidomos nga ana e Ololës, i cili kishte bërë paraqitje pozitive në nisjen e kampionatit, por i mungonte konkretizimi.
As vetë trajneri Xhafa nuk do t’a kishte besuar që klubi do të shpërthente që në ndeshjen e tij të parë në stol. Ekipi dha sinjale komplet pozitive nga fusha dhe drejtuesi i ri në stolin lagunar e mbajti fjalën duke rimëkëmbur skuadrën dhe duke ngritur “peshë” gjithë qytetin.