
Jurgen Goxha, mbrojtësi i Besës ka folur ekskluzivisht për Newsport para përballjes me Kukëisn këtë fundjavë të Kategorisë së Parë. 32 vjeçari ka shpalosur objektivin e skaudrës, të ardhmen e karrierës së tij si dhe ka rrëfyer premtimin e veçantë që ka bërë në Kavajë.
Qendërmbrojtësi me një CV të pasur në Shqipëri ka mbrojtur më përpara ngjyrat e Bylisit, Egnatias, Erzenit e Tiranës. Ai gjithashtu ka luajtur për klubin e qytetit të lindjes, Teutën. Goxha e njeh mjaft mirë Superioren, por edhe kategorinë ku ndodhet tashmë me Besën, për arsye se ka luajtur për klube në këtë nivel në fillimet e tij.
Mbrojtësi i verdhezinjve e ndjen veten ngrohtë në ambientin kavajas për arsye të dashurisë së tifozëve. Futbollisti që ka qenë dhe në Azerbajxhan për një pjesë të karrierës i ka premtuar qytetit që e dashuron futbollin, si dhe legjendës Meglid Mihani se Besa do të riktheht këtë vit aty ku i takon.
-Fundjavën e kaluar barazuat kundër njërit prej rivalëve kryesor për ngjitjen në Superiore. Sa keqardhje ndjeni dhe sa mendoni se do te ndikojë ky rezultat në tabelë?
Ndjej shumë keqardhje për barazimin ndaj Vorës sepse meritonim fitoren dhe i bëmë detyrat që na i kishte dhënë trajneri fati nuk ishte me ne. Shpresoj të na kthehet sepse rruga për në Superiore është e hapur.
-A jeni përshtatur me Emiliano Çela ? Cilat janë ndryshimet mes tij dhe Mirel Josës?
Jemi përshtatur, kemi lojtarë me përvojë si Mazrekaj, Frashëri, Mëllugja, por edhe lojtarët e rinj në moshë na kanë ndihmuar dhe ne i kemi ndihmuar të rriten. Nuk mund të jap përgjigje çfare kanë ndryshe trajnerët . Profesor Mireli është legjend dhe duhet t'i heqim kapelën! Profesor Çela është i ri ne profesion dhe do të ketë të ardhme të fortë.
-Besa po zhvillon një sezon fantastik ndryshe nga vitet e kaluara, a mendoni se në fund do të jeni ju brezi i lojtarëve që do të risillni lavdinë në Kavajë?
Shpresoj të jem sepse kam vënë bast me 1 nga legjendat e ekipit të Besës Meglid Mihani që këtë vit Besa është në Superiore!
-Eliminimi nga Kupa? Testi ndaj Vllaznisë tregojë apo jo që keni kapacitetet e duhura për t'u perballur me ekipe të Superiores?
Jo nuk meritonim të largoheshim nga Kupa. Të gjithë e panë që ishte penallti për ne dhe rezultati mund të shkonte ndryshe por e kemi lënë pas krahëve tani.
-Përballë Kukësit a mendoni se do të ketë surpriza si me Erzenin? Ku ka gabuar Besa në dy sfidat e fundit?
Jo, Besa nuk gabon më! Do t'i marrim ndeshjet 1 nga 1 dhe shpresoj të arrijmë qëllimin. Nuk tolerohen më gabimet.
-Cilat janë objektivat e skuadrës dhe ato personale? A dëshiron Jurgeni sërish aventura jashtë të tipit Azerbajxhan apo preferon qëndrimin në futbollin vendas?
Objektivi i skuadrës është ngjitja ne Superiore, kjo është primare. Pastaj, nga ana personale është të bëj paraqitje të mira që të ndihmoj ekipin e shokët të ngjisim Besën aty ku i takon. Tani në moshën 32 vjeçare mendoj të zgjasë jetëgjatësin në futboll sa më shumë dhe pastaj se çfarë ofertash mbërijnë, ato ngelen per t'u parë.
Por për momentin jam i fokusuar te Besa totalisht dhe nëse ia dalim qëllimit, pse jo mos të qëndrojë. Do të ishte një ndjesi super e mirë sepse tifozët dhe njerëzit në Kavajë më kanë pritur dhe respektuar. /SERGEI LITO/