
Në kuadër të bashkëpunimeve të vazhdueshme me institucionet vendore dhe klubet e futbollit, Federata e Futbollit është bërë pjesë e një investimi të përbashkët me Bashkinë e Fierit dhe KF Apolonia për ndërtimin e një ambienti të ri stërvitor në harkun verior të stadiumit “Loni Papuçiu” të Fierit. Projekti parashikon vendosjen e tapetit të ri të barit dhe shtrimin e tartanit rreth fushës.
Ky investim është shumë i rëndësishëm pasi do të përmirësojë infrastrukturën e stadiumit, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve futbollistike. Përmes kësaj nisme, synohet jo vetëm përmirësimi i kushteve për futbollistët e rinj, por edhe promovimi i një stili jetese të shëndetshëm për të rinjtë dhe komunitetin vendas.
Stadiumi “Loni Papuçiu” është një nga asetet më të rëndësishme sportive në qytetin e Fierit dhe një pikë kyçe për zhvillimin e futbollit, jo vetëm në nivel lokal, por edhe në atë kombëtar.