
Trajneri i Kastriotit, Dorjan Bubeqi foli për RTSH Sport pas fitores dramatike 2-3 ndaj Erzenit në Shijak. Krutanët marrin 3 pikë të arta dhe pozicionohen në zonën Play-Out me 10 pikë pas 6 javëve kampionat.
“Kartonat e verdhë ishin pas një pjese të parë shumë të dobët. Nervozizëm për të shënuar sa më shpejtë na nxorri jashtë rregullores.
10 gola të shënuar dhe 10 të pësuar? Nuk mendoj se është ç’balancim, e kam thënë që dua një ekip sulmues. Goli të jep fitoren. Futbolli është i bukur kur ka gola. I kam bërë llogaritë, por nuk duhet të pësojmë kaq shumë gola. Duhet të punojmë pak më shumë në fazën mbrojtëse për gabimet që kemi bërë. Në kohën time isha sulmues dhe aty e kam më shumë fokusin dhe e kam harruar pak mbrojtjen, por do të punojmë më shumë.
Do përpiqem të luaj në sulm ultraofensiv në çdo ndeshje. Ka qenë një nga ndeshjet ku kam patur më shumë frikë sot. Erzeni duhet të kishte më shumë pikë dhe jo zero. Rikthimi i Migones i ka rregulluar shumë gjëra Erzenit. Lojtarët e mi e nënvlerësuan pak pjesën e parë, por cilësia e tyre e ktheu lojën në të dytën”, tha Bubeqi.