
Korabi nuk e nisur aspak mirë këtë sezon në Kategorinë e Parë. Pas 8 javësh kampionat, dibranët renditet në vendin e 9-të në tabelë me vetëm 8 pikë të grumbulluara.
Pikërisht për nisjen negative të këtij sezoni të Korabit, por edhe për sfidën e radhës ndaj Apolonisë ka folur portieri Avernold Qyrani për “Newsport.al”. Gardiani i Korabit gjithashtu flet dhe për të ardhmen e tij, ku thekson se nuk e ka aspak mendjen te merkato dhe se është i fokusuar te aventura me ekipin dibran.
Nisje jo e mirë e sezonit, si e shpjegoni situatën e Korabit?
Është e vërtetë që këtë sezon nuk jemi aty ku duhet pasi kemi lënë shumë pikë gjatë rrugës. Por tek ne ka ndikuar dhe fati. Dua të përmend që edhe vitin e kaluar e kemi nisur në mënyrë jot ë mirë, dhe pastaj shkuam në “Play-Off” si gjithmonë.
Vetëm 8 pikë në 8 javë, a është mbijetesa objektiv i ekipit?
Korabi nuk është ekip mbijetese pavarësisht pozitës ku ndodhemi. Ekipi ka një organikë tepër të mirë me lojtarë shumë të mirë dhe me eksperiencë. Po ashtu kemi dhe lojtarë të rinj të talentuar. Deri në fund të sezonit do të shkojmë aty ku e meritojmë.
Sfida e radhës përballë Apolonisë në shtëpi, jeni të sigurt për 3 pikët?
3 pikët nuk janë të sigurta në asnjë ndeshje. E vetmja gjë që mund të them është që kemi një plus të madh pasi luajmë në shtëpinë tonë, pranë tifozëve tanë. Por kjo nuk do të thotë që e kemi të siguruar fitoren. Nëse ne nuk japim maksimumin, të bëjmë lojën tonë dhe të sakrifikojmë për njëri-tjetrin, atëherë do ta kemi të vështirë.
Cilin ekip shihni si pretendentin kryesor për t’u shpallur kampion në Kategorinë e Parë?
Për mendimin tim deri më tani besoj se pretendentët kryesorë mund të jenë Vora, Flamurtari dhe Besa e Kavajës. E mendoj këtë duke parë edhe renditjen. Megjithatë, është shumë shpejt për të thënë se kush do të dalë kampion, pasi kampionati është i gjatë.
E ardhmja juaj, e mendoni merkaton e janarit larg Korabit?
Jam i fokusuar te Korabi 100 përqind. Dua të respektoj kontratën që kam me këtë klub deri në fundin e saj. Momentalisht në mendjen time nuk ka merkato. Po mendoj vetëm për Korabin dhe ndeshjen e radhës që na pret në kampionat. /Nikoll RAJTA/