
Kastrioti u mposht nga Besa në sfidën e vlefshme për javën e katërt të Kategorisë së Parë. Ndeshja e zhvilluar në Rrogozhinë përfundoi 3-0 në favor të Besës, golat për të cilët i shënoi Mentor Mazrekaj. Pas kësaj sfide foli trajneri i krutanëve, Dorjan Bubeqi.
“Ne bëmë një pjesë të parë të mirë, pasi kishim menduar të ndalonim kryesorët e Besës si Mazrekaj. Por kam dyshimet e mia që te goli i parë i Besës njëri nga lojtarët preku topin me dorë. Ne bëmë zëvendësime që nuk dhanë atë ç’ka duhej. Mendova se do na rrisnin fazën sulmuese, por na ulën.
Kur lojtari im ra në tokë dhe e preku topin me dorë, arbitri e dha faull. Një moment të kthen ritmin e lojës. Sigurisht që ndikon një vendim i arbitrit, ne trajnerët e dimë më mirë. Besa e meritoi fitoren”, tha Bubeqi.