
Burreli ka fituar përballë Besës së Kavajës në ndeshjen e vlefshme për javën e 4-t të Kategorisë së Parë. Sfida e zhvilluar në “Liri Ballabani”, përfundoi 2-1 në favor të vendasve. Në përfundim të kësaj sfide ka folur trajneri fitues, Samuel Nikaj.
“Të fitosh me gol në minutën e fundit është kënaqësi. E respektuam Besën gjatë lojës pasi i lamë kontrollin e topit, gjë të cilën skuadra e bëri vetëvetiu. Unë i thashë ekipit që kam besim tek ta. Realisht kam skuadër të mirë, jam shumë i gëzuar për 3 pikët dhe shpresoj që të vazhdojmë me fitore, të jemi këtu në “mesin e artë” pasi këto ambicie kemi.
Do isha i kënaqur me 1 pikë, por strategjinë e përdori skuadra vetë. Unë prisja që të kishim lart, mos t’i prisnim. Por Besa ka emër dhe trajner të madh dhe na bëri që të stepeshim pak në zonën tonë. Burreli ka lojtarë të mirë, ndërrimet e bënë diferencën.
Çunat s’duhet ta kenë atë mendjen tek Superliga. Unë jam trajner që kam drejtuar ekipe me ambicie të tilla për tu ngjitur në elitë, por tani zgjodha që të kem një tjetër ekip. Duhet të punojmë psikologjikisht, pasi nuk duhet të mbetemi si skuadër inferiore”, tha Nikaj.