Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

ANALIZË/ Kategoria I në 'skaner', si vijnë 20 skuadrat pjesëmarrëse në Grupet A dhe B, pretendentet dhe çfarë pritet nga ky sezon

Shkruar nga NEWSPORT

Kategoria e Parë, këtë sezon të ri do të startojë më 16 gusht. Sot, në ambientet e FSHF-së u hodh shorti për kalendarin e ndeshjeve në të dyja grupet, A dhe B.

Këtë sezon, Kategoria e Parë do ketë edhe prezencën e Tiranës, skuadrës më të titulluar në Shqipëri, plot 24 herë kampione.

Dinamo është skuadra e dytë më e titulluar në vendin tonë, gjithashtu edhe ajo në Kategorinë e Parë.

Por, nuk do të ketë derbi mes këtyre dy ekipeve. Kjo pasi Tirana është pozicionuar në Grupin B (Jug), ndërsa Dinamo në Grupin A (Veri).

[caption id="attachment_136655" align="alignleft" width="300"] Skuadra e Besëlidhjes[/caption]

Duke nisur nga Grupi A, pra ai i Veriut, skuadra që niset si pretendente për të hyrë në Superligë është Besëlidhja. Lezhjanët prej disa vitesh tentojnë të hedhin pas krahëve Kategorinë e Parë, por pa sukses. Këtë sezon do të tentojë sërish, ndërsa investimet në merkato nuk kanë munguar. Një ekip me traditë, por për fat të keq nuk ka mundur të dalë fituese në sfidat e fundit të çdo sezoni në Kategorinë e Parë, ashtu si vitin e shkuar kur Besëlidhja nuk mundi dot të kalonte Kamzën në takimin e fundit të kampionatit.

Kastrioti i Krujës gjithashtu do të jetë një skuadër pretendente për Superligën. Me një merkato për t'u pasur zili dhe me një trajner si Samuel Nikaj që e njeh mjaft mirë kampionatin shqiptar, krutanët do të rivalizojnë me Besëlidhjen dhe Besën për një vend në Superligë. Kujtojmë se vetëm një ekip për çdo grup ngjitet në elitën e futbollit shqiptar, pra vetëm skuadra që renditet në vendin e parë në tabelën e klasifikimit.

 

[caption id="attachment_136656" align="alignleft" width="300"] Nexhat Bizhdili, presidenti i Besës[/caption]

Besa e Kavajës është një tjetër ekip pretendent për t'u ngjitur në Superligë. Me rikthimin e mundshëm të Nexhat Bizhdilit si president në klubin verdhezi, Besa pritet të ndërtojë një ekip të fortë, investime në stadium dhe në infrastrukturën e terreneve sportive për stërvitje.

Erzeni dhe Dinamo, me shumë mundësi do të jenë skuadrat që do të kërkojnë të renditen në 5-shen e parë të klasifikimit të Grupit A.

*Nga vendi i parë deri te vendi i pestë i renditjes në të dyja grupet e Kategorisë së Parë, skuadrat në fazën e tretë luftojnë për një vend në Superligë duke u përballur mes tyre. Pra, në një farë mënyre, pozicionimi deri në vendin e pestë të renditjes u siguron skuadrave që nuk do të kenë fuqi për t'u ngjitur në elitë, qëndrimin në Kategorinë e Parë për sezonin e ri. Ky sistem aplikohet pas përfundimit të fazës së dytë të kampionatit. Të gjitha ekipeve pjesëmarrëse në garë iu përgjysmohen pikët, në mënyrë që të gjitha skuadrat të mund të afrohen sa më shumë me njëra-tjetrën në renditje dhe të mos lejohet ndonjë tolerim i mundshëm mes tyre.

Pesë skuadrat e tjera të Grupit A në Kategorinë e Parë janë Egnatia, Vllaznia B, Korabi, Burreli dhe Tërbuni.  Asnjë prej këtyre skuadrave nuk përjashtohet si kandidate për të qenë në pesëshen e parë pas përfundimit të fazës së dytë të kampionatit, por kreditet më të larta, të paktën në letër i kanë pikërisht Besëlidhja, Besa, Kastrioti, Erzeni dhe Dinamo.

Egnatia dhe Vllaznia B janë debutuese në këtë sezon në Kategorinë e Parë. Dy ekipe që varen nga bashkia, përkatësisht nga ajo e Rrogozhinës dhe e Shkodrës.

Korabi është ekipi që ra nga Superliga sezonin e shkuar dhe këtë vit pritet të mos e ketë aspak të lehtë garën në Kategorinë e Parë duke qenë se ish-donatorët që financonin klubin, tashmë janë tërhequr prej disa muajsh.

Edhe Tërbuni pritet të ketë  një tjetër sezon të vështirë, ndonëse në kampin pukjan ka shumë optimizëm se mbijetesa do të sigurohet direkt këtë vit.

Për sa i përket ekipit të Burrelit, mund të thuhet vetëm se është një skuadër shumë e fortë në shtëpi dhe një klub që ka vite që reziston në Kategorinë e Parë. Nuk njeh rënie në të Dytën prej kohësh dhe një ekip solid me shumë futbollistë vendas, ose të paktën me lojtarë rreth Qarkut të Dibrës ose Rrethi i Matit.

[caption id="attachment_125345" align="alignleft" width="300"] Skuadra e Tiranës[/caption]

Për të kaluar në Grupin B të Kategorisë së Parë, skuadra e parë që analizohet është padyshim Tirana. Bardheblutë vijnë pas një sezoni tejet të vështirë në Superligë dhe rënies në inferiore për herë të parë në historinë e klubit më të titulluar në Shqipëri. 24 tituj kampion të fituar nga Tirana, këtë vit do të 'sfilojnë' në fushat e stadiumeve të ekipeve të Kategorisë së Parë. Bardheblutë janë ekipi më favorit për t'u ngjitur në Superligë, me disa prej 'senatorëve' që tashmë kanë rinovuar dhe nuk kanë tradhtuar klubin edhe pse nuk është më në Superligë. Kapiteni Erando Karabeci, zv.kapiteni Gentjan Muça, portieri Ilion Lika, apo edhe Dorian Kërçiku e Asion Daja do të jenë boshti i skuadrës së trajnerit brazilian Ze Maria.

Ekipi që pritet të rivalizojë me Tiranën për një vend në Superligë do të jetë Bylisi. Ballshiotët që do të drejtohen nga trajneri Bledar Devolli, në strategjinë e tyre kanë si princip të bazohen te lojtarët e rinj dhe të talentuar, por edhe te futbollistët vendas. Një ekip me emër në futbollin shqiptar dhe një klub që ka investuar edhe në stadiumin 'Adush Muça', që tashmë për të dytin sezon radhaz do të marrë pjesë në Kategorinë e Parë.

Tomori është një tjetër ekip me emër në Shqipëri, që prej vitesh 'lëngon' në inferiore. Sezonin e shkuar u rendit mes pesë skuadrave të para në Grupin B duke siguruar direkt qëndrimin në Kategorinë e Parë. Beratasit kanë bërë disa afrime nga skuadrat e tjera të kësaj kategorie, si Kopaçi nga Naftëtari dhe Daci nga Turbina, teksa kanë nisur edhe përgatitjet për sezonin e ri. Prej Tomorit kërkohet shumë, ndërsa klubi ka ndjekur këtë vit një strategji tejet ndryshe nga sezonet e shkuara. Presidenti i Tomorit dhe njëkohësisht kryetari i bashkisë së Beratit, Petrit Sina ka vendosur një çmim tavan për sa u përket rrogave bazë të futbollistëve pasi nuk do të ketë rroga më shumë se 350-400 mijë lekë në muaj dhe do të aplikohet sistemi i shpërblimeve për ndeshje të caktuara.

[caption id="attachment_136657" align="alignleft" width="300"] Skuadra e Apolonisë[/caption]

Apolonia mund të thuhet se është në sezonin e saj më të vështirë që nga krijimi i këtij klubi. Skuadra fierake ka mbetur në mes të katër rrugëve. Bashkia e cila është aksionare e klubit, duke qenë se nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët me presidentin e klubit, Koço Kokëdhima, tashmë ka ndërprerë funksionimin e disa shërbimeve që u kishte vënë në dispozicion lojtarëve, si mensa apo terrenet stërvitore. Apolonia, me situatën në të cilën ndodhet, këtë sezon do të kërkojë të paktën të qëndrojë mes pesë skuadrave të para të renditjes në Grupin B të Kategorisë së Parë.

Shënkolli dhe Ilira janë dy skuadrat 'mike' në Grupin B, ose ndryshe në Grupin e Jugut. Ekipet që historikisht kanë qenë në Grupet e Veriut, si në Kategorinë e Parë edhe në atë të Dytë, këtë vit do të jenë në Jug. Kjo pasi FSHF ka menduar që ekipet që financohen nga fondet e bashkive të përbashkëta të mos jenë në një grup dhe në Grupin A janë Besëlidhja e Lezhës dhe Kastrioti i Krujës.

Turbina dhe Naftëtari gjithashtu pritet të përballen me një sezon tejet të vështirë. Ende nuk kanë nisur përgatitjet dhe kanë pasur shumë 'firo' të futbollistëve në këtë merkato vere.

[caption id="attachment_50587" align="alignleft" width="300"] Naftëtari në stadiumin 'Bashkim Sulejmani'[/caption]

Por, për sa i përket Naftëtarit, shefi i klubit, Brajan Fraholli ka siguruar edhe tifozët se së shpejti do të nisin përgatitjet dhe se janë gati emrat e futbollistëve që do të afrohen në merkato. Tashmë po pritet vetëm buxheti i bashkisë së Kuçovës që të ndezë 'dritën jeshile' për të financuar të paktën për nisjen e përgatitjeve, gjetjen e trajnerit të ri dhe të sigurojë rrogat e lojtarëve të rinj që do të afrohen.

Pogradeci dhe Shkumbini janë dy ekipet që mbyllin përfaqësinë e skuadrave të Grupit B në Kategorinë e Parë. Të dyja prej vitesh në këtë kategori dhe skuadra që i hapin punë çdo ekipi tjetër, sidomos në fushën e tyre, të cilat do të rivalizojnë për t'u pozicionuar në pesëshen e parë.

 

-TRANSMETIMI- Kategoria e Parë, edhe në këtë sezon do të transmetohet nga TVSH. Do të jenë tri ndeshje në javë që do të vijnë në ekranet e teleshikuesve shqiptarë. Pritet që, ashtu si në sezonin e shkuar, edhe këtë vit, Kategoria e Parë të ketë një shtrirje të larmishme të ditëve dhe orareve në të cilat do të zhvillohen takimet e Grupeve A dhe B.

Nuk përjashtohet mundësia që një ndeshje në javë të luhet të premten dhe një tjetër të hënën.

Ndeshjet e javës së parë të kampionatit do të luhen në orën 16:00. NEWSPORT.AL/ ANDI TANKU

 

 

Kategoria e Parë

GRUPI A – JAVA 1

Egnatia – Vllaznia B

Besëlidhja – Tërbuni

Besa – Dinamo

Erzeni – Korabi

Kastrioti – Burreli

GRUPI B – JAVA 1

Shkumbini – Bylis

Tirana – Iliria

Tomori – Pogradeci

Apolonia – Shënkolli

Turbina – Naftëtari

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga